Në Shqipëri mijëra besimtarë u mblodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë për faljen e namazit të Bajramit. Ceremonia u shoqërua me mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie mes njerëzve. Udhëheqësit fetarë apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj njerëzve në nevojë dhe forcim të vlerave familjare e shpirtërore. Kreu i Komunitetit Myslimanë Shqiptarë tha se Kurban Bajrami është një festë që i fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.
“Shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz që ndërtojnë ura e përçojnë dashuri e mirësi mes njëri-tjetrit. Ka nevojë për zemra që bashkojnë e jo për gjuhë që përçajnë. Ka nevojë për familje me dashuri, për të rinj me shpresë dhe për institucione me përgjegjësi morale. Ne shqiptarët kemi një pasuri të rrallë që duhet ta ruajmë me krenari, harmoninë ndërfetare. Në këtë vend kambanat dhe ezani kanë jetuar pranë njëri-tjetrit si zëra paqeje. Kjo nuk është rastësi. Është kulturë, është qytetërim, është amaneti i të parëve tanë”, deklaroi Bujar Spahiu, kryetar i KMSH-së.
Pas faljes së Namazit të Bajramit, besimtarët shkëmbyen urime për festën, ndërsa shumë familje vijojnë traditën e therjes së kurbanit dhe ndarjes me të afërmit dhe familjet në nevojë. Festa e Kurban Bajramit simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe bamirësinë në fenë islame./Alsat.mk.
The post Në Shqipëri mijëra besimtarë u mblodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë për faljen e namazit të Bajramit. appeared first on Alsat.
