Gazetar: Angell Dimovski

Kryetar i LSDM-së, Venko Filipçei i bëri thirrje pushtetit të shpallë referendum ku qytetarët do të deklarohen për të ardhmen e shtetit dhe për rrugën evropiane të vendit. Filipçe tha se kjo çështje nuk duhet të shihet përmes prizmit politik, por si një vendim që i prek drejtpërdrejt të gjithë qytetarët. Sipas tij, pikërisht qytetarët duhet ta kenë fjalën e fundit për përcaktimet strategjike të shtetit dhe procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

“Nuk mundet Hristijan Mickoski të vendosë për fatet tona. Duhet qytetarët të vendosin për këtë, sepse ata do ta paguajnë çmimin e politikave të gabuara të Mickoskit. Ata janë të vetmit që mund të vendosin për fatin e tyre. Shpallni referendum, pyetini qytetarët. Nuk mundeni ju të vendosni për fatin e qytetarëve”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Lideri opozitar komentoi edhe qëndrimin e djeshëm të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili në konferencë të përbashkët për media me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq deklaroi se Qeveria nuk do të pranojë lëshime identitare, duke shtuar se është e gatshme ta paguajë çmimin për një vendim të tillë.

“Parashtrohen dy pyetje– cilat janë ato lëshime dhe kush janë ata që do ta paguajnë çmimin. Për lëshimet kemi dëgjuar edhe më parë, gjithçka që thanë në fakt është një gënjeshtër e madhe. Mickoski vetë pranoi se Marrëveshja e Prespës është një kryevepër e diplomacisë. Presidentja tha se me marrëveshjen është konfirmuar identiteti dhe gjuha. E dëgjuam edhe Timço Mucunskin të thotë se me hyrjen në NATO garantohet siguria dhe përmirësohet klima e biznesit në shtet. Kush do ta paguajë çmimin? Nuk do të jetë Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij, ministrat e tij, nuk do të jetë banda e tij kriminale. Çmimin e paguajnë të gjithë qytetarët, çmimin do ta paguajmë të gjithë ne”, theksoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Sa i përket thirrjes së Mickoskit për unitet, lideri i LSDM-së tha se për të dhe për partinë që ai udhëheq, bashkimi nënkupton vetëm zbatimin e ndryshimeve kushtetuese./Alsat.mk.

The post Venko Filipçe kërkon shpalljen e referendumit për rrugën evropiane të shtetit appeared first on Alsat.