Gazetar: Angell Dimovski
Përplasje në Kuvend rreth huamarrjeve të reja dhe mungesës së ministres së Financave në debatin parlamentar. Deputeti Fatmir Bytyqi akuzoi Qeverinë për borxhe të reja dhe pyeti përse ministrja nuk merr pjesë kur debatohet për borxhin shtetëror. Bytyqi tha se borxhi publik, nga 8.5 miliardë euro në dhjetor të vitit 2023, tani ka arritur rreth 10.8 miliardë euro, ndërsa me kredinë e re prej 260 milionë eurosh do të rritej në 11.1 miliardë.
“10.8 miliardë euro borxh publik ekzistues, plus 260 milionë euro kredi e re, plus 350 milionë të mundshme në qershor, plus eventualisht 300 milionë përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, plus një miliard euro përmes negociatave me një vend anëtar të NATO-s, plus rreth 700 milionë euro detyrime të arritura e të papaguara ndaj biznesit. Kjo është një barrë potenciale publike dhe financiare e papaguar prej rreth 13.4 miliardë eurosh. A e konfirmoni apo e mohoni këtë përllogaritje dhe cilat nga këto huamarrje janë në përgatitje?”, deklaroi Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.
Në vend të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, u përgjigj kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se nuk do të ketë huamarrje të re prej 350 milionë eurosh, ndërsa bëri edhe krahasime se cila qeveri është huazuar më shumë.
“Periudha e Qeverisë së kaluar, LSDM – BDI më 1 janar 2018 borxhi publik ishte 4 miliardë e 787 milionë euro, ndërsa në fund të periudhës së analizës, më 31.12.2023, borxhi publik arriti në 8 miliardë e 477 milionë euro, që do të thotë huamarrje neto prej 3.69 miliardë eurosh. Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it më 1 janar 2025 borxhi publik ishte 9 miliardë e 619 milionë euro dhe, siç tha kolegu juaj deputet, ai supozon se do të arrijmë në 11 miliardë, por nuk do të arrijmë. Ai thotë se do të arrijmë. Huamarrja neto është 1 miliard e 381 milionë euro”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kuvendi para dy ditësh e miratoi ligjin për huamarrje të re prej 260 milionë eurosh nga disa banka të huaja ndërkombëtare./Alsat.mk.
The post Përplasje në Kuvend lidhur me huamarrjet e reja të shtetit appeared first on Alsat.
