Opozitarja LSDM akuzoi Qeverinë se po i mban peng qytetarët me politika kundër integrimit evropian, me pretekstin se Europa po cenon identitetin maqedonas. Pushteti thotë se nuk ka para për referendum, por vetëm për tenderë kriminalë, tha zëdhënësja socialdemokrate, duke e përsëritur kërkesën për referendum ku qytetarët vetë do të vendosin për të ardhmen e vendit.

“Qytetarët vetë duhet të vendosin nëse janë të gatshëm ata, familjet e tyre dhe fëmijët e tyre të paguajnë çmimin e politikave të gabuara të Mickoskit. Ne nuk duam të paguajmë çmim. Ne duam të ardhme evropiane. Shpallni referendum! Qytetarët le të vendosin”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Kjo kërkesë e LSDM-së vjen pasi ditë më parë kryeministri Mickoski tha se nuk ka më hapësirë për lëshime identitare, pavarësisht kostos në rrugën eurointegruese. Nga VMRO-DPMNE vazhdojnë ta akuzojnë Filipçen se është i gatshëm të bëjë ndryshime kushtetuese e më pas redefinim të historisë dhe identitet, krejt kjo në interes të Bullgarisë.

“VMRO-DPMNE nuk do të lejojë bullgarizimin e figurave historike që kanë krijuar, që kanë shkrim-lexuar rajonin dhe që kanë luftuar për të krijuar shtetin maqedonas. Maqedonia ka historinë e saj, identitetin e saj dhe gjuhën e saj maqedonase. Përderisa VMRO-DPMNE është në pushtet, nuk do të lejojmë shkeljen e dinjitetit tonë”, tha Valentin Manasievski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe, duke u përgjigjur për kërkesën e opozitës për referendum, nga Qeveria thanë nuk duhen harxhuar kohë dhe paratë e qytetarëve dhe se hapja e fondeve nga Agjenda Reformuese dhe orientimi drejt BE-së tregojnë qartë rrugën evropiane të vendit.