Është finalja e Champions League, ndeshja që çdo ekip dhe çdo lojtar elitar dëshiron ta luajë kur fillon sezoni rreth korrik-gushtit. Këtë sezon e kanë arritur PSG, kampioni në fuqi, dhe Arsenali i Mikel Artetës, i cili do të përpiqet t’i rrëmbejë kurorën europiane formacionit të Luis Enrique që vitin e kaluar shkatërroi Interin në finale 5-0.
Në këtë stadium, “Puskás Arena”, pothuajse të gjithë e konsiderojnë favorite skuadrën pariziene, për shkak se është kampione në fuqi dhe sjell në këtë finale një grup lojtarësh që ka funksionuar prej shumë vitesh dhe me rendiment të madh, përfshirë edhe fituesin e “Topit të Artë”, Ousmane Dembélé. Por nuk luan vetëm ai.
Përballë do të jetë një Arsenal që ka treguar në Europë se është ekip shumë i fortë (9 porta të paprekura në 14 ndeshje që ka luajtur në këtë kompeticion) dhe që vjen pas fitimit të Premier League, çka i ka dhënë rritje të madhe morale dhe ka larguar kështu “fantazmën” e një ekipi pa shpirt, pas 22 vitesh pa fituar kampionatin anglez.

‘LE’ KUNDËR ‘MA’
Dueli mes Luis Enrique dhe Mikel Artetës, dy simbole të ekipeve të tyre përkatëse, pritet të jetë një nga çelësat e ndeshjes në një kontekst barazie të madhe dhe ku detajet taktike mund të bëjnë diferencën. Trajneri asturian kërkon titullin e tij të tretë në Champions, pas atij që fitoi me Barcelonën më 2015 dhe atij që fitoi vitin e kaluar me ekipin e tij francez.
Përkundrazi, Mikel kërkon Champions-in e parë në historinë e Arsenalit, një klub që, pavarësisht se është më i ndjekuri në numër tifozësh në kryeqytetin anglez, kishte arritur vetëm një herë më parë në finale; Champions 2005-06, e humbur nga Wenger kundër Barcelonës.
Tribunat e “Puskás Arena” do të kenë nga 17.500 spektatorë për secilën skuadër, megjithëse këto janë shifrat zyrtare të shitjes përmes UEFA-s. Mbetet për t’u parë kush do të dominojë sektorin neutral të stadiumit. Shtypi anglez tashmë njofton se do të ketë më shumë se 5.000 tifozë të Arsenalit, që kanë mbërritur në Budapest pa biletë për ndeshjen.

“KARBURANTI” SPANJOLL
Nga këndvështrimi i tifozit spanjoll, dhe përtej trajnerëve të të dy ekipeve, mund të ndodhë që te Arsenali të luajë si titullar vetëm David Raya, pasi Mikel Merino sapo është rikuperuar nga një dëmtim, Martín Zubimendi ka katër ndeshje radhazi si zëvendësues dhe Mosquera është gjithashtu zakonisht në stol. Ata nuk pritet të jenë në formacionin e Artetës.
Nga ana e Luis Enrique, e njëjta gjë. Nëse përmbushen parashikimet, skuadra pariziene do të ketë vetëm Fabián Ruiz si spanjoll, pasi i sapoardhuri Dro Fernández nuk është ende gati për këto nivele dhe Achraf Hakimi, i lindur në Madrid, është maroken në të gjitha aspektet.
Në Budapest, qyteti që do të presë këtë finale, të gjithë flasin për besueshmërinë mbrojtëse të Arsenalit, e cila është përmendur tashmë, dhe fuqinë sulmuese të një ekipi parizien që, nëse nis të vrapojë me hapësira, duket si e pandalshme për çdo mbrojtje.
Megjithatë, shpresa e shumë tifozëve të Arsenalit që po mbërrijnë që dje në Hungari është sistemi mbrojtës që Arteta ka ndërtuar, që kur kundërshtarët e vunë në vështirësi dhe ai u detyrua të gjejë zgjidhje.
Kështu i tha ai “MARCA” në intervistën ekskluzive që u publikua këtë javë: “Detyra ime është të inovoj. Nëse nuk mjafton, duhet të kërkoj të fitoj në një mënyrë tjetër, ndryshe nga mënyra se si kemi luajtur deri tani”. Në fund të fundit duket si një “duel spanjoll” për të kërkuar “mbretin” e ri të Europës.
The post Duel “spanjoll” mes PSG-së dhe Arsenalit, futbolli shpall sonte “mbretin” e ri të Europës appeared first on Telesport.
