Karatistja Ada Murtezani fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë kumite për vajza 13-vjeçare deri në 49 kilogramë, në ditën e parë të Kampionatit Ballkanik për Fëmijë që po mbahet në Stamboll të Turqisë, pas një serie paraqitjesh dhe ndeshjesh të shkëlqyera kundër kundërshtareve cilësore nga disa vende.
Në raundin e parë, Murtezani e mposhti bindshëm Josipa Cuk me rezultat 7:1, duke e nisur garën në mënyrë të sigurt dhe dominuese. Në luftën e dytë, ajo vazhdoi formën e mirë dhe triumfoi ndaj turkes Ozde Degimerenci me rezultat 4:3, në një duel të ngushtë dhe të pasigurt deri në fund.
Në përballjen e tretë pasoi një duel taktikisht shumë i tensionuar kundër kroates Marta Kordić, i cili përfundoi pa pikë (0:0), ndërsa karatistja jonë siguroi fitoren me vendim të gjyqtarëve. Në luftën e katërt, për kualifikim në finale, ajo ishte më e mirë se rumunia Istrata Sofia me rezultat 3:1, duke siguruar kështu një vend në finalen e madhe.
Në finale, Murtezani zhvilloi një ndeshje të fortë kundër karatistes turke Betul Nur Aykin, por u mposht ngushtë me rezultat 1:2, duke fituar medaljen e argjendtë.
Me këtë rezultat, Ada Murtezani konfirmoi edhe një herë cilësinë dhe potencialin e saj në skenën ndërkombëtare, duke u renditur ndër karatistet e reja më premtuese maqedonase në kategorinë e saj.
The post Ada Murtezani fiton medaljen e argjendtë në Kampionatin Ballkanik të Karatesë për Fëmijë appeared first on Alsat.
