Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Pas kontrollove të jashtëzakonshme nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, janë zbuluar manipulime të mëdha me produktet e qumështit. Në total, janë marrë 91 mostra të qumështit, produkteve të qumështit dhe produkteve të mishit të përpunuar, si nga prodhimi vendas ashtu edhe nga importi. Nga 45 mostra të marra dhe të analizuara në laboratorë, Agjencia ka zbuluar shkelje te 10 operatorë që tregtonin produkte qumështi me përbërje të ndryshme, ku në rastin më të rëndë është zbuluar përqindje më e ulet e yndyrës nga ajo e deklaruar në etiketë.
“Te një operator ushqimor, me testim laboratorik të një mostre prej 22 kilogramësh djathë të imët, është konstatuar se ishin deklaruar 20 për qind yndyrë qumështi, ndërsa produkti përmbante vetëm 1 për qind, për çka i është shqiptuar gjobë prej 3 500 euro në kundërvlerë në denarë“- thanë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
Ndërkaq te një operator tjetër ushqimor u konstatua përdorimi i yndyrave bimore, konkretisht vajit të palmës, në një produkt që tregtohej si produkt qumështi.
“Me testime është konstatuar se në prodhimin e një produkti të qumështit ka përdorur yndyra bimore (palme), për çka i është shqiptuar gjobë prej 1300 euro në kundërvlerë në denarë. Produkti i dyshimtë i qumështit në peshë totale prej 500 kilogramësh nga ky operator është tërhequr nga qarkullimi dhe është asgjësuar në mënyrë të padëmshme në deponi
Tetë prodhues dhe importues të tjerë janë gjobitur me nga 1.050 euro secili, pasi analizat e kryera nga autoritetet zbuluan dallime mes përqindjes së yndyrës së qumështit të deklaruar në etiketa dhe asaj reale të pranishme në produktet e kontrolluara.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftoi se kontrollet e shtuara inspektuese ndaj prodhuesve dhe importuesve të produkteve të qumështit do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim garantimin e cilësisë së produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve./Alsat.mk.
The post Mashtrime me produktet e qumështit: kontrolli i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari nxjerr shkelje te disa operatorë appeared first on Alsat.
