Borxhi publik i vendit, i cili në tremujorin e parë të këtij viti është rreth 10.8 miliardë euro, në vitin 2030 do të arrijë në 13.7 miliardë euro. Kjo është përcaktuar në Strategjinë për Menaxhimin e Borxhit Publik që u miratua në Qeveri, dhe të cilën në emisionin Biznes 21 e shpjegoi zëvendësministri i Financave Nikolçe Jankulovski. Ai thotë se planifikohet rritje më e fortë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndaj projeksioni është që deri në vitin 2030 borxhi publik nga rreth 60% të bjerë në rreth 57% të PBB-së.
“Për vitin 2027 rreth 12 miliardë euro, 12.6 në vitin 2028, 13.2 në vitin 2029 dhe rreth 13.7 miliardë euro në vitin 2030. Këto janë shifrat absolute sipas Strategjisë për Borxhin Publik, por në përqindje kjo do të nënkuptonte ulje graduale. Nëse tani është rreth 60 përqind, të përfundojmë rreth 57 përqind deri në vitin 2030 — përqindja e borxhit publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Jankulovski
Jankulovski thotë se, përveç huamarrjes prej 260 milionë eurosh nga bankat ndërkombëtare që kaloi në Kuvend, as me ribilancin nuk planifikohen huamarrje të tjera nga jashtë deri në fund të këtij viti. Thotë se ka para për pagimin e gjysmës tjetër, respektivisht 350 milionë eurove nga eurobligacioni i vjetër prej 700 milionë, që duhet të paguhet në qershor, nga huamarrja e mëparshme prej 1 miliardë eurosh nëpërmjet dy eurobligacioneve.
“Deri në fund të vitit pra planifikojmë ta përfundojmë borxhin publik në 59.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 60% të parashikuara. Mirë. Në para kjo do të nënkuptonte sa? Rreth 11 miliardë euro deri në fund të vitit”, deklaroi ai
Jankulovski konfirmoi se Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore po negocion të marrë një kredi prej 300 milionë eurosh. Nuk zbuloi konkretisht për çfarë, por tha se nuk bëhej fjalë për projekte të reja, por për financimin e projekteve aktuale infrastrukturore. Ai pret që deri në mesin e qershorit ribilanci i buxhetit të shqyrtohet në Qeveri. Thotë se do të shtohen para atje ku nevojitet, dhe do të ulen nga projektet që nuk po ecin sipas planit. Zbuloi se me ribilancin rritja e BPV-së do të ulet nga 3.8% të planifikuara në 3.5%, ndërsa inflacioni nga 2.5% të projektuara do të rritet në 4 përqind. Ishte i vendosur se deficiti buxhetor nuk do të thellohet për këtë vit dhe do të mbetet në 3.5% të BPV-së.
