Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, është i bindur se do të arrijë një nga fitoret më të mëdha të karrierës së tij më 25 korrik, në përballjen me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua, në Jeddah të Arabisë Saudite.

Gjatë konferencës për media të zhvilluar të hënën për promovimin e duelit, Prenga u shfaq plot vetëbesim, duke deklaruar se është gati të befasojë botën e boksit.

“Sinqerisht, kur trajneri më telefonoi dhe më tha se do të luftoja me Joshuan, nuk e besoja. Por i thashë menjëherë po, sepse është koha ime. E respektoj shumë si boksier, e kam ndjekur që nga fillimi i karrierës së tij dhe jam rritur duke e parë në ring”.

Jam shqiptar. Të premtoj se nëse të godas, nëse të zë, asnjëherë nuk ke ndjerë diçka si goditja ime. Të respektoj. Je një boksier i madh, një luftëtar i madh, por në ring nuk kam respekt as për babanë tim”, tha Prenga.

Boksieri shqiptar numëron 20 fitore dhe vetëm një humbje në karrierën profesioniste, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me nokaut, statistikë që e bën një nga goditësit më të rrezikshëm në kategorinë e rëndë.

Nga ana tjetër, Joshua e sheh këtë duel si një hap të rëndësishëm përpara përballjes së shumëpritur me Tyson Furyn.

Britaniku zhvilloi meçin e fundit në dhjetor të vitit të kaluar, kur mposhti me nokaut në raundin e gjashtë Jake Paulin.

“Do të bëj atë që duhet të bëj. E respektoj si çdo kundërshtar tjetër, por e di saktësisht se çfarë kam për të bërë. Kjo është kategoria ime”, tha Joshua, i cili gjithashtu i kërkoi Prengës të japë maksimumin dhe të mos tregojë respekt në ring.

Prenga vjen në këtë përballje pas fitores së shpejtë ndaj amerikanit Joe Jones, të cilin e nokautoi në raundin e parë më 21 shkurt.

Ai debutoi në boksin profesionist në maj të vitit 2016 dhe tani ndodhet përballë sfidës më të madhe të karrierës së tij.