Piloti italian i Mercedes, Kimi Antonelli, triumfoi sot në garën e Cmimit të Madh të Monako, zhvilluar në rrugët qytetase të Montekarlo. Ky është triumfi i pestë radhazi për 19-vjecarin italian, i pari në këtë cirkuit, që tani shkëputet edhe më shumë në renditjen e përgjithshme.

Në vendin e dytë, ashtu si dy javë më parë në Kanada, u rendit Lewis Hamilton me Ferrari, që edhe pse u përpoq dhe pati shansin në fund, nuk arriti dot të mposhtë Antonelli. Në podium, në vendin e tretë, u klasifikua Isack Hadjar me Red Bull.

Në fakt, i treti e preu vijën e finisht Pierre Gasly, por një penalitet prej 10 sekondash e zbriti atë në vendin e 7-të. Një garë ku penalitetet ishin të shumtë, madje edhe vetë Hadjar është nën hetim nga komisarët dhe rrezikon të humbasë podiumin.

Ai që mund të përfitojë është Oscar Piastri me McLaren, i katërti, ndërkohë që në “top-10” u renditën edhe Liam Lawson, Arvid Lindblad, Pierre Gasly, Alexander Albon, Esteban Ocon dhe Sergio Perez (gjithashtu nën hetim).

Gara nisi me tërheqjen e Verstappen që në start (probleme me motorin),  ndërkohë që deri në mesin e saj nuk pati shumë emocione (u tërhoq edhe Norris, kampioni i botës në fuqi). 13 xhiro nga fundi, aksidenti i Stroll detyroi hyrjen në pistë të makinës së sigurisë.

Pas largimit të saj, aksidentohet në të njëjtin vend edhe Charles Leclerc me Ferrari dhe gara ndërpritet për rreth 30 minuta, për të sistemuar asfaltin. Ai që vuan nga këto situata është George Russell me Mercedes, që penalitetin nuk e kryen si duhet dhe penalizohet sërish.

Në fund, edhe pse gara rinis dhe presioni është i madh, Antonelli nuk gabon dhe nuk e dorëzon kreun, që e pati nga xhiro e parë deri tek e fundit. Tashmë italiani është 66 pikë para Hamilton,  ndërsa Russell zbret në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme.

The post Kimi Antonelli korr fitoren e pestë radhazi dhe është “princ” në Monako, Hamilton sërish i dyti appeared first on Telesport.