Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në votime, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të tyre gjatë procesit të numërimit të votave.
Përmes një reagimi pas mbylljes së vendvotimeve, Gjini u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të tregojnë korrektësi dhe kujdes maksimal gjatë numërimit, në mënyrë që rezultati përfundimtar të pasqyrojë saktësisht vendimin e qytetarëve.
Ai kërkoi që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës dhe theksoi se vetëm përmes një procesi të drejtë mund të garantohet respektimi i vullnetit të sovranit.
“Vetëm duke punuar drejtë, kujdesemi bashkë që vullneti i sovranit të respektohet”, ka deklaruar Gjini.
Në fund të mesazhit të tij, ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor dhe uroi “mbarësi të përjetshme për demokracinë tonë”.
