Manipuluesve për shitjen dhe regjistrimin e automjeteve si dhe të subjekteve të kontrollimeve teknike do t’u ngushtohet mundësia e keqpërdorimeve. Kjo do të arrihet përmes ndryshimeve të reja ligjore, pasi në Kuvend në lexim të parë kaloi Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për automjetet. Në Komisionin për çështje ekonomike, punë e politikat energjetike, me propozim të një grupi deputetësh u diskutua pjesa e regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve.
“Këto ndryshim e plotësime ligjore do të sigurojnë mbikëqyrje efikase nga institucionet kompetente për tu parandaluar keqpërdorimet e mundshme. Propozimet kanë kahje pozitive sepse këto ndryshime do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët, do ta thjeshtëzojnë procedurën dhe do të rrisë përgjegjësinë e subjekteve që marrin pjesë në procesin e regjistrimit të automjeteve. Këto ndryshime dhe plotësime nuk do të kenë implikime financiare shtesë në buxhetin e shtetit”, tha Toni Jarevski, deputet I VMRO DPMNE-së .
Kryetar i këtij Komisionit, Bojan Stojanovski, tha se sipas procedurës parlamentare ky propozim ligj do të shkoj edhe në lexim të dytë për debate evntuale, pas së cilës do të dorëzohet për në seancë plenare.
“Komisioni për çështje ekonomike, punë dhe politikat energjetike konstatoi se propozim-ligji për ndryshime dhe plotësimi të Ligjit për automjete duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm. Ju lutem të votojmë: kush është për konstatimin e propozuar? 6 janë PRO, kundër dhe të përmbajtur nuk ka. Konstatoj se konkluzioni u miratua”, shtoi Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për çështje ekonomike.
Kujtojmë që TV21 më herët ka raportuar për tregtarët e automjeteve dhe manipulimet që janë bërë nëpër procedurat e regjistrimit dhe kontrollimit teknik të automjeteve. Madje shumë qytetarë ankohen edhe për mashtrimet me kilometratat e kthyera të veturave të përdorura që shiten nga individë apo subjekte të vogla tregtare. Autoritet, si policia dhe dogana, bëjnë thirrje që të denoncojnë çdo manipulim. Me ndryshimet e reja ligjore pritet të përforcohet bashkëpunimi ndër institucional që të evitohen këto keqpërdorime gjatë regjistrimit të automjeteve të vjetra dhe të kontrollimeve teknike.
