Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në Kuvend zhvillohet debati për interpelancën ndaj ministrit të bujqësisë Cvetan Tripunovski, e dorëzuar nga LSDM-ja opozitare. Duke komentuar punën e deritanishme dy vjeçare, nga LSDM shprehen se bujqësia në Maqedoni është sjellë në një gjendje katastrofale për çka kërkojnë përgjegjësi politike. Siç akuzojnë nga kjo parti, subvencionet për bujqit janë ulur për 40 milion euro ndërsa janë shfuqizuar shumë masa të cilat drejt për drejtë mbështesnin bujqit e vreshtarët ndërsa nuk ka blerje të mekanizmave të reja për punë. Punën e ministrit e kritikojnë edhe nga BDI.
“Filloi korrja ndërsa nuk ka çmim e as subvencione për grurin. Janë anuluar thirrjet për traktorë dhe mekanizma. Qeveria nuk ka ndarë asnjë traktor për dy vjet. Vreshtarët janë të pakënaqur me çmimin e “Vranecit” dhe “Smederevkës”. Është arrestuar drejtori i Agjencisë së Pagesave, është arrestuar drejtori i Inspektoratit për Bujqësi. Blerja nga bujqit e vegjël është ulur në numër rekord për 31 milion euro në vetëm tre muaj”, deklaroi Lupço Nikollovski nga LSDM.
“Në teren ndihet një hendek ndërmjet premtimeve dhe realizimit të tyre. Fermerët nuk i matin sukseset e politikave bujqësore me strategji dhe dokumente. Ata i masin me kushte që u krijohen për të punuar tokën e tyre me investime që realizohen dhe projekte që përfundojnë në kohë. Ata presin që zhvillimi rural të merrte një ritëm të ri. Prisnin më shumë efikasitet dhe më pak burokraci”, tha Arbana PAsholli nga BDI.
Por ministri Tripunovski nuk u fokusua aq shumë në prezantimin e punës së tij sa u fokusua në punën e Qeverisë së kaluar.
“Kur mora funksionin trashëgova gjendje kaotike, lëndë të pazgjidhura, kaos në institucione, probleme, paga të pa paguara në ndërmarrjet publike, subvencione të pa paguara dhe ndjenjë se Ministria ka shërbyer për propagandë politike në vend se për mbështetje reale në bujqësi. Rreth 1600 të punësuar në NP “Pyjet Kombëtare”, për katër muaj nuk kishin marrë paga e mbi 500 të punësuar në “Ekonomizim me Ujëra” nuk kishin marrë paga madje pesë muaj“, u përgjigj ministri i bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Kujtojmë se muaj më parë policia arrestoi drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vase Anakiev, mbi dyshimet për mitmarrje me vlerë prej 50.000 eurove. Në nëntor të vitit të kaluar, ministri Tripunovski dorëzoi kallëzim penal kundër ish-ministrit Lupço Nikollovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe në Agjencinë Pagesore për Bujqësi, e cila u përfshi në skandalin me fondet evropiane IPARD 3. Atëkohë u arrestua edhe ish drejtori i Agjencisë, Ilija Stoillov./Alsat.mk.
The post Kuvendi debaton për interpelancën ndaj ministrit të bujqësisë, Cvetan Tripunovski appeared first on Alsat.
