Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kërkesat që përmendi presidentja Siljanovska Davkova pas takimit me homologen bullgare Jotova, për kryeministrin Hristijan Mickoskin nuk janë të reja por të njëjtat datojnë nga viti 2022. Bëhet fjalë për kërkesa që lidhen me protokollet që dalin nga puna e komisionit për çështje historike dhe të njëjtat siç thotë Mickoski, nuk janë aspak të pranueshme për Maqedoninë e Veriut.
“Puna e komisionit historik nuk është formal por është thelbësor. Ne nuk kemi pikëpamje të njëjta për çështjet e identitetit. Për ne, Goce Dellçev është identiteti i maqedonasve, për ta nuk është, për ta është pjesë e identitetit bullgar. Për ne, kryengritja e Ilindenit është pjesë e identitetit maqedonas, për ta nuk është. Për ta është kryengritja e Preobrazhenjes. Këto janë çështje thelbësore të cilat për fat të keq janë që nga viti 2022. Qytetarët duhet të dinë se nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, ky është vetëm fillimi ku hapet kutia e pandorës ndërsa ka edhe 15 kërkesa të reja të cilat ne si shtet duhet ti përmbushim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Përskaj kësaj situate me Bullgarinë, Mickoski vazhdon të jetë optimist se Maqedonia e Veriut do të hapëroj në rrugën drejt inkuadrimit evropian.
“Unë jam ende optimist kur bëhet fjalë për bisedën që kisha me Merc dhe Makron sepse atë që kemi biseduar në atë takim është tërësisht ndryshe nga takimi i djeshëm. Ne duhet të jemi optimist dhe të punojmë dhe mbrojmë interesat nacionale”, shtoi Mickoski.
Presidentja bullgare Ilijana Jotova dje përsëriti se Bullgaria pret që vendi të përmbushë kriteret evropiane për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht të përmbushë kërkesat nga propozimi francez i vitit 2022 e i cili u bë si qëndrim pan-evropian për inkuadrim të vendit në BE./Alsat.mk.
The post Mickoski: Kërkesat e Bullgarisë nuk janë të reja por nga viti 2022 appeared first on Alsat.
