Një ngjarje dramatike është raportuar nga Tijuana, ku pranë qendrës stërvitore të kombëtares së Iranit është gjetur trupi i pajetë i një personi brenda një automjeti të parkuar afër “Estadio Caliente”.
Sipas mediave lokale, zbulimi u bë të premten në mëngjes në parkingun e një supermarket, përballë stadiumit ku Irani po përgatitet për ndeshjen e parë të Botërorit kundër Zealandës së Re. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Raportimet paraprake tregojnë se një automjet gri “Toyota RAV4” kishte qëndruar i parkuar në të njëjtin vend për të paktën tri ditë. Brenda tij u gjet kufoma e një personi, e cila sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet ishte në gjendje të avancuar dekompozimi.
Zona u izolua menjëherë nga policia, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes. Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera dhe nuk dihet nëse ngjarja lidhet me veprimtari kriminale.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në zonën përreth grumbullimit të ekipit të drejtuar nga Amir Ghalenoei, por sipas informacioneve aktuale nuk ka ndikuar në përgatitjet e kombëtares iraniane për debutimin në Botëror.
The post Tronditet Botërori, gjendet një kufomë e dekompozuar pranë stadiumit ku stërvitet Irani appeared first on Telesport.
