Janë tejkaluar të gjitha pengesat për fillimin e realizimit të punimeve për rrugën Shkup-Bllacë, për TV21 njoftoi zv.ministrja e transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri. Ajo tha se është zgjedhur kontraktuesi, do të nënshkruhet marëveshja dhe do të fillojnë punimet. Këtë e bëri të ditur Zekolli pas takimit me ministrin e transportit Aleksandar Nikollovski, drejtorin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turkmenogllu si dhe drejtorin e Ndërrmarjes Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski.

“Realizuesi i punimeve pas shumë vitesh është një kompani vendore konkretisht kompania “Granit”. Sic përmenda nga informacionet që na i përcolli drejtori nga takimi ka disa procedura administrative në aspekt të garancës siç e dini kemi një grant edhe kredi nga banka europiane besoj diku javën tjetër do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët dhe në fillim të muajit korrik do të dalim në terren dhe për gurëthemelin e kësaj rruge”, tha Kaltrina Zekolli.

Nga ana tjetër, Ministri Aleksandar Nikolloski pret që brenda 3 vjet e gjysëm të përfundojë ky projekt dhe të ketë një lidhje autostrade nga Maqedonia në Kosovë dhe Mal të Zi.

“Kemi pesë tunele mbi të, kemi dy galeri, 12 ura, ose gjithsej rreth 40 objekte, përfshirë objekte më të vogla. Është një ndërmarrje e madhe inxhinierike, një ndërmarrje e madhe ndërtimi. Por ne do të dëshmojmë se si vend mund të punojmë në projekte të mëdha. Planifikojmë që Kontraktori ta përfundojë këtë projekt brenda 3.5 viteve dhe më së voni 3.5 vjet të ketë një lidhje autostrade nga Shkupi në Bllacë, domethënë, nga Maqedonia në Kosovë dhe Mal të Zi”, tha Aleksandar Nikolloski.

Në rrjetët sociale reaguan edhe liderët e Vlen-it, Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve t’thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve. Kjo është qeverisja jonë. Çdo premtim i mbajtur, çdo angazhim i kthyer në punë. Investojmë për një shtet më të zhvilluar, për ekonomi më të fortë dhe për lidhje më të afërta mes vendeve tona, shkroi Izet Mexhiti në FB. Poashtu edhe Bilall Kasami pohoi se Autostrada Shkup – Bllacë po bëhet realitet. Shkupi me Prishtinën sot janë më afër se kurrë.Koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar. Shqiptarët po jetojnë epokën e punës, projekteve dhe zhvillimit thuhet në reagimin e Kasamit.

Premtime për dhjetë kilometrat e ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë ka pasur në vazhdimësi, në fillim u premtua se punimet do të të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022 më pas nga qeveria e re u paralajmërua për në fund të dhjetorit të vitit 2025, por nuk ndodhi as njëra e as tjetra.