Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka deklaruar se marrëveshja me Iranin ka filluar të japë efektet e saj në ekonominë amerikane, duke ndikuar në stabilizimin e tregut të energjisë dhe uljen e çmimeve të karburantit.

Gjatë një konference për shtyp, Vance u ndal te zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të transportit global të naftës, duke theksuar se fluksi i furnizimeve është rritur ndjeshëm.

“12.5 milionë fuçi naftë kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit mbrëmë, niveli më i lartë i trafikut që nga fillimi i konfliktit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo rritje e qarkullimit të naftës ka ndihmuar në uljen e presioneve në tregjet ndërkombëtare dhe në rikthimin e çmimeve pranë niveleve para krizës.

Vance shtoi gjithashtu se çmimet e karburantit në SHBA kanë vijuar të bien, duke theksuar se çmimi mesatar i benzinës ka zbritur nën 4 dollarë për gallon për herë të parë që nga fillimi i konfliktit.

Ai u shpreh optimist se ky trend i rënies së çmimeve do të vijojë edhe në periudhën e ardhshme, me një stabilizim të mëtejshëm të tregut të energjisë.