Në Volos të Greqisë u zhvillua Kampionati Ballkanik për të rritur në atletikë, një event ku mori pjesë edhe Shqipëria me disa nga atletët e saj më të mirë. Kueqzinjtë e mbyllën këtë turne me dy medalje argjendi dhe dy rekorde kombëtare.

Të dyja medaljet u fituan nga atletët e hedhjes së çekiçit: Markelo Mema për meshkuj dhe Yipsi Moreno. I pari dha rezultatin 76.57 metra, rezultati më i mirë personal për 25-vjeçarin Mema, integruar së fundi në kombëtare.

Ndërsa Moreno, atletja e njohur kubaneze por që prej dy vitesh garon për Shqipërinë, dha rezultatin 67.75 metra. Ky ishte rezultati më i mirë sezonal për Moreno, që i dha asaj medaljen e argjendtë në Ballkaniadë.

Mirë u paraqit atleti shkodran Franko Burraj, që në disiplinën e 400 metrave dha kohën 45”85 dhe vendosi rekord kombëtar (46”578 koha e mëparshme). Burraj prej vitesh po shkëlqen në këtë disiplinë.

Rekordi i dytë ishte ai i stafetës 4×100 metra për meshkuj, ku atletët shkodranë që garuan dhanë kohën 41”24. Ata përmirësuan kohën e mëparshme 41”48 që ishte vendosur 31 vite më parë në Lubjanë.

The post Ballkaniada e atletikës, Shqipëria e mbyll me dy medalje argjendi dhe dy rekorde kombëtare appeared first on Telesport.