Kryeqytetit iu shtua sot një tjetër terren modern futbolli, me inaugurimin e fushës së re në zonën e Picallës, një investim i realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me akademinë “Tirona Republic Football Academy”.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, drejtuesit e akademisë, përfaqësues të komunitetit sportiv, prindër dhe dhjetëra fëmijë që do të kenë mundësinë të stërviten në këtë impiant të ri.
Ky investim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për zgjerimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe të rinjve.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Presidenti Duka vlerësoi rëndësinë e investimeve në terrenet sportive dhe theksoi se futbolli duhet të jetë sa më pranë fëmijëve.
“Jam vërtet shumë i lumtur që marr pjesë sot në këtë ceremoni inaugurimi të kësaj fushe, e cila nuk është thjesht një fushë futbolli me bar artificial, por është mendimi ynë për të investuar për ju dhe të gjithë bashkëmoshatarët tuaj, për të luajtur futboll, për t’u rritur sa më të gëzuar dhe për t’u edukuar sa më mirë nëpërmjet futbollit.
Jam shumë i bindur që i gjithë brezi ynë ka borxhe karshi moshës suaj për infrastrukturën që duhet të bëjë për futbollin. Fatmirësisht, ne në Shqipëri jemi vendi i parë në Europë që e dashurojmë futbollin. Të gjithë prindërit duhet t’i sjellin fëmijët në futboll.
Të gjithë fëmijët të bëjnë “presion” te prindërit që t’i dërgojnë në futboll. Detyra e të gjitha institucioneve është që të krijojnë sa më shumë kushte dhe kemi deficite për infrastrukturën sportive dhe fushat e futbollit. Por sot jemi në një rast të mirë, në një shembull që është për t’u ndjekur nga të gjithë.
Unë dua të falënderoj drejtuesit e akademisë “Tirona Republic Football Academy”. Është një bashkëpunim me Federatën e Futbollit. Siç dihet, kjo fushë është investuar nga FSHF dhe nga financat private të drejtuesve të akademisë.
Dua t’i falënderoj që kanë marrë këtë iniciativë dhe të sensibilizoj të gjithë ata që e duan futbollin dhe ata që kanë mundësi, por që nuk merren me futboll, që t’i bashkohen iniciativës sonë për të bërë sa më shumë fusha futbolli dhe për të qenë sa më pranë jush për të përmirësuar infrastrukturën, që vërtet t’ju plotësojmë kushtet juve që të ndiqni ëndrrën dhe pasionin tuaj, për të vazhduar këtë lojë të bukur.”
The post Kryeqytetit iu shtua sot një tjetër terren modern futbolli (VIDEO) appeared first on Telesport.
