Giuseppe Bergomi nuk pajtohet me zhvillimet e fundit në merkato. Në orët e fundit, Interi u befasua pasi Chelsea siguroi Marco Palestra, objektivi kryesor i Chivu dhe klubit zikaltër për të mbuluar boshllëkun e lënë nga Dumfries. Një ofertë mbi 60 milionë euro tek Atalanta dhe pagë e lartë për lojtarin mbyllën çdo mundësi për ta parë 21-vjeçarin sërish në Itali sezonin e ardhshëm.
“Klubi ishte gati të shpenzonte shumë për djaloshin e ri Palestra, 50 milionë euro, një shifër e madhe për Interin dhe për çdo klub italian, – tha ish-mbrojtësi për “Gazzetta dello Sport”. – Do të ishte një investim i madh, por i bindur për vlerën e tij. Për këtë lojtar të lindur më 2005, që do vinte te kampionët e Italisë, do të niste një rrugëtim i rëndësishëm profesional. Për Interin dhe Marotta, e ashtuquajtura ‘quota-Italia’ është shumë e rëndësishme dhe Palestra do ishte thelbësor, jo thjesht një figurant”.
Tani drejtuesit e Interit po kërkojnë alternativa. Bergomi beson se klubi do gjejë zgjidhjen e duhur, por Palestra ishte ideal për krahun e djathtë. “Në mbrojtje duhen dy afrime, jo një. Solet është perfekt për Chivu, ndërsa edhe Jones në mesfushë do të përshtatej. Pa nxitim”, – thekson Bergomi, duke kujtuar se blerja më e mirë e sezonit të kaluar, Akanji, erdhi në ditën e fundit të merkatos.
The post Bergomi për merkaton e Inter: Mëkat që Palestra i iku nga duart, Solet është perfekt për Chivu appeared first on Telesport.
