Muzika e artistes shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka “ndërprerë” për disa minuta konferencën për shtyp të trajnerit të Portugalisë, Roberto Martínez, të mbajtur të premten.
Gjatë konferencës në një stadium, altoparlantët e sallës kanë nisur të luajnë disa nga këngët e Dua Lipës, duke e ndërprerë përkohësisht fjalën e Martínezit. Nuk është sqaruar plotësisht arsyeja e incidentit, por dyshohet se bëhej fjalë për një ngatërrim kabllosh gjatë një prove teknike që po zhvillohej në stadium.
Pavarësisht situatës, nuk u raportua për ndonjë pakënaqësi. Përkundrazi, trajneri portugez reagoi me humor, duke u lëkundur lehtë në karrigen e tij ndërsa po tentohej ndalimi i muzikës.
“Besoj se Dua Lipa po e mbështet Portugalinë,” tha ai me të qeshur.
Dua Lipa, këngëtarja me origjinë shqiptare e lindur në Londër dhe fituese e tre çmimeve Grammy, njihet si një adhuruese e futbollit dhe ka marrë pjesë në disa ngjarje të mëdha sportive ndër vite.
Më vonë, i pyetur për ekuilibrin e lojës së mesfushës së Portugalisë, Martínez e riktheu me shaka situatën te momenti i pazakontë në konferencë.
“Ekuilibri dhe Dua Lipa – këto ishin dy temat kryesore,” u shpreh ai.
The post Këngët e Dua Lipës “ndalojnë” për pak konferencën e trajnerit të Portugalisë appeared first on Veriu.info.
