Botërori nuk është më vetëm turneu më i madh i futbollit në planet, por është kthyer edhe në një nga makineritë më të mëdha ekonomike në sportin botëror. Kupa e Botës 2026 jo vetëm po thyen rekorde sportive, të pjesëmarrjes dhe të shikueshmërisë, por edhe financiare, me parashikime që të ardhurat e FIFA-s do të kalojnë 12 miliardë euro, një shifër historike.
Rritja është e jashtëzakonshme. Në ciklin e “Katar 2022”, FIFA raportoi rreth 6.600 miliardë euro të ardhura, ndërsa në “Rusi 2018” ishin rreth 5.600 miliardë, në “Brazil 2014” rreth 5.000 miliardë dhe në “Gjermani 2006” rreth 2.800 miliardë. Në më pak se dy dekada, të ardhurat janë katërfishuar.
Kjo rritje shpjegohet kryesisht nga formati i ri: 48 skuadra dhe 104 ndeshje, që sjell më shumë tregje, më shumë tifozë, më shumë sponsorë dhe më shumë ditë gare. Çdo ndeshje është një mundësi biznesi globale.
Botërori 2026 sjell gjithashtu një nivel të ri eksperience, me fokus te shërbimet VIP dhe paketat luksoze. Finalja në Nju Xhersi, për shembull, ka paketa që mund të arrijnë deri në 35.000 euro, krahasuar me rreth 160 euro për finalen e vitit 1994 në SHBA.
Të drejtat televizive mbeten motori kryesor financiar, së bashku me reklamimin gjatë ndeshjeve. Edhe pushimet për hidratim, që zgjasin rreth tre minuta, kanë vlerë të madhe reklamuese, me rreth 220 milionë euro potencial të ardhurash shtesë gjatë turneut.
FIFA thotë se këto të ardhura riinvestohen në futbollin botëror. Parashikohet që mbi 10 miliardë euro të shkojnë për zhvillimin e sportit midis 2023 dhe 2026. Gjithashtu, Botërori do të shpërndajë rreth 640 milionë euro shpërblime, ku kampioni merr rreth 44 milionë euro.
Edhe klubet përfitojnë, me një fond kompensimi prej rreth 220 milionë euro, duke marrë rreth 4.500 euro në ditë për çdo lojtar të grumbulluar. Botërori 2026 nuk do të jetë vetëm më i madhi në histori nga ana sportive, por edhe nga ajo ekonomike, duke hapur një epokë të re për futbollin global.
The post Botërori 2026 “thyen bankat” dhe hyn në histori, të ardhurat e FIFA-s do t’i kalojnë 12 miliardë eurot appeared first on Telesport.
