Gazetare: Amila Rashiti
Me parullat “Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit në Shqipëri hyjnë në ditën e 30-të. Organizatorët u bënë thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe atyre që jetojnë jashtë shtetit të bashkëngjiten në protestë. Protestuesit kërkojnë që projektet si ai i paralajmëruar për në zonën Zvërnecit nuk guxojnë të realizohen pa dijeninë dhe pëlqimin e qytetarëve.
“Ne nuk jemi kundër projektit, ne jemi kundër sepse po na fshehin diçka. Ne duam transparencë”, tha një protestues.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa kjo qeveri të japë dorëheqjen dhe më në fund të bëhen zgjedhje të vërteta në këtë shtet”, theksoi një protestues.
Kryeministri Rama tha që deri në vitin 2029 nuk largohet sepse e ka besimin e popullit.
“Unë jam i lidhur me një kontratë me tjetër kënd, që quhet populli sovran i Shqipërisë, me të cilin kam firmosur deri në 2029-ën dhe dua t’u siguroj të gjithë atyre që janë sinqerisht e nuk kane parti apo para nga pas për të yshtur këtë protestë se unë nuk i ngatërroj shqetësimet, hallet e zemërimin e tyre me këto personazhe të padinjitetshme që turpërojnë mexhlisin tonë publik”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Ndërkohë që protesta vazhdon organizatorët kanë paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes sepse sipas tyre ka persona që duan të nxisin përplasje./Alsat.mk.
The post Vazhdojnë protestat në Shqipëri appeared first on Alsat.
