Gazetar: Zekirija Haxhiu
Seanca e fundit e Komisionit për Sistem Politik ku debatohet mbi amendamentet e dorëzuara nga opozita lidhur me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Opozita propozon që kur të hapen konkurset e punësimit, të hapen vetëm për një komunitet të caktuar varësisht nevojave të institucionit dhe të mos kenë mundësi të aplikojnë qytetarë nga komunitetet tjera. Kështu që në konkurs të zgjidhet më i vlerësuari mes kandidatëve. Nëse konkursi dështon tre herë, atëherë i njëjti të hapet si i përgjithshëm.
“Amendamenti i propozuar nga deputetët nuk pranohet pasi vendosë një procedurë të re të punësimit që nuk është parashikuar në propozim ligj dhe tejkalon objektin e tij. Mënyra e realizimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është e rregulluar përmes mekanizmave institucional të përcaktuar në ligj ndërsa procedurat e punësimit rregullohen me legjislacionin përkatës”, tha Bekim Sali, zv.kryeministër.
Ndaj këtij refuzimi reagoi deputetja Ilire Dauti. Shprehet se Qeveria nuk pranon atë që garanton Kushtetuta, respektivisht përfaqësimin real të qytetarëve në institucione.
“Pra kur ju thoni se ky propozim që të përfshihet dhe etnia, ju nxjerrë nga qëllimi, ju dmth jeni në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Të jesh në kundërshtim me Kushtetutën do të thotë të jesh në kundërshtim me shtetin. Vet Qeveria ka propozuar ligj që shkon në kundërshtim me Kushtetutën. Pra janë të gatshëm të shkojnë në kundërshtim me dokumentin kryesor të shtetit vetëm e vetëm që bashkësitë etnike të mbeten të pa përfaqësuar në të drejtën më themelore siç është e drejta për punë”, u shpreh Ilire Dauti, deptuete e Lidhjes Shqiptare.
Deputeti i Frontit Evropian Sali Murat u shpreh se përpos maqedonasve të cilët janë të mbi-përfaqësuar në institucione bazuar në përqindjen e popullsisë nga regjistrimi i fundit, komunitetet tjera të gjitha janë të diskriminuara dhe më pak të përfaqësuara.
“4% popullatë, asnjë turk nuk mund të gjeni nga Kumanova deri në Strugë, nga Dojrani në Tearcë, nga Berova në Dibër. Nuk mund të gjeni asnjë nga komuniteti im të thotë se ky ligj është universal. Ky propozim ligj është anti-kushtetues, anti demokratik dhe jo funksional, dhe i njëjti duhet të tërhiqet. Ju doni që komunitetet më të vogla të asimilohen”, deklaroi Sali Murat nga Fronti Evropian.
Për propozimin ligjin, opozita dorëzoi 31 amendamente, ndërsa nuk është pranuar asnjë prej tyre. Propozim ligji duhet të kalojë në lexim të dytë për miratim në seancë plenare për çka nevojitet badenter i vogël, respektivisht shumicë e deputetëve që përbëjnë badenterin të cilët do të jenë prezent momentin e votimit./Alsat.mk.
The post Debati i fundit mbi ligjin për përfaqësim të drejtë, amendamentet refuzohen një nga një appeared first on Alsat.
