“Shtëpia e Futbollit”, kompleksi sportiv më modern në Ballkanin Perëndimor, është kthyer prej vitit 2022 në një nga qendrat më të rëndësishme sportive në Shqipëri. E pozicionuar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, ajo shërben si qendra administrative dhe teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke mirëpritur aktivitetet e federatës, grumbullimet e ekipeve kombëtare, trajnimet dhe programet për zhvillimin e futbollit.
Në një reportazh të përgatitur nga FSHF TV, prezantohet në detaje ky investim madhor i futbollit shqiptar, i shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh dhe i pajisur me tre fusha moderne futbolli, dy me bar natyral dhe një me bar artificial.
Pjesë e kompleksit janë gjithashtu qendra e fizioterapisë, zona SPA, palestra moderne, qendra e VAR dhe ambientet e FSHF TV, duke e kthyer “Shtëpinë e Futbollit” në një institucion gjithëpërfshirës dhe multifunksional.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, dhe administratori i kompleksit, Ledio Ndini, flasin në këtë reportazh për rëndësinë e një qendre të tillë për zhvillimin e futbollit shqiptar, për standardet që ofron kompleksi dhe për projektet e reja që pritet të realizohen në të ardhmen.
“Janë tre fusha futbolli, në të cilat zhvillohen aktivitete zyrtare. Kjo e bën këtë kompleks vërtet të veçantë, pasi një kompleks i tillë nuk gjendet askund tjetër në rajon. Nga eksperienca ime, kam parë komplekse të ngjashme edhe në federata të tjera. Turqia ka një kompleks shumë të mirë, po ashtu edhe Bullgaria, por krahasuar me vendet e tjera të rajonit, kompleksi ynë është, pa diskutim, më i miri”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Një nga projektet më ambicioze është ndërtimi i një hoteli modern brenda kompleks it, i cili do të jetë në shërbim të ekipeve kombëtare, delegacioneve të huaja sportive dhe, në periudhat pa aktivitete, edhe për qytetarët.
“Në hapësirën që ndodhet pas godinës së zyrave, do të ndërtohet hoteli i Shtëpisë së Futbollit. Ai do të jetë një hotel me pesë kate mbi tokë dhe dy kate nëntokësore për parkim. Hoteli do të shërbejë për akomodimin e ekipeve kombëtare të të gjitha moshave, si edhe të ekipeve të huaja që do të marrin pjesë në aktivitetet sportive të organizuara këtu. Në periudhat kur nuk do të ketë aktivitete sportive, hoteli do të jetë i hapur edhe për publikun, duke funksionuar si një hotel i zakonshëm”, tha administratori i kompleksit, Ledio Ndini.
Me infrastrukturën moderne, teknologjinë e avancuar dhe shërbimet që ofron për sportin dhe komunitetin, “Shtëpia e Futbollit” është shndërruar në një simbol të zhvillimit të futbollit në vend dhe në qendrën më të rëndësishme sportive në Shqipëri.
Ndiqni reportazhin e plotë të realizuar nga FSHF TV, i cili është edhe në kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit në YouTube.
The post REPORTAZH: Kjo është “Shtëpia e Futbollit”, aty ku po ndërtohet e ardhmja e futbollit shqiptar (video) appeared first on Telesport.
