Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi njoftoi se këtë javë do të mbahet një takim me furnizuesit dhe prodhuesit, në të cilin do të diskutohet për sigurimin e çmimeve më të ulëta të produkteve ushqimore bazë – objektivi i përcaktuar në takimin e javës së kaluar me tregtarët.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Durmishi sot tha se nuk mund të japë një datë konkrete se kur do të përfundojë raporti nga kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, të cilat duhet të përcaktojnë se çfarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve gjatë periudhës së kaluar, megjithatë, për shkak të vëllimit të madh të punës, ai vlerësoi se kjo pritet të ndodhë brenda rreth një muaji.

Siç theksoi ai, do të analizohet faturë pas fature, çdo çmim i 74 grupeve me 600 deri në 700 produkte ushqimore bazë që janë pjesë e shportës së konsumit.

“Do të kryhet një kontroll i detajuar i 600 deri në 700 produkteve ushqimore bazë, nga çmimi i blerjes te prodhuesi deri te çmimi i shitjes te tregtari dhe do të gjejmë indikatorët që ndikojnë në formimin e çmimeve, ku ka rritje më të mëdha dhe pse ndodhin këto ndryshime”, tha Durmishi, në konferencën për shtyp në të cilën ai dha raport për punën e kryer.

Në bazë të analizës së detajuar, siç sqaroi ai, institucionet kompetente do të dinë se ku dhe si duhet të reagojnë në rastet kur ka marzhë më të lartë.

“Herën e kaluar kur vendosëm kufizim të marzhave, gjatë periudhave festive, tregtarët, duke e ditur saktësisht cilat produkte konsumohen më shumë, e rrisnin marzhën bruto të fitimit deri në 20 deri në 30 për qind. Dhe tani shihet e njëjta gjë, marzha bruto e fitimit, ku mund të ndërhyjmë në mënyrë administrative. Dhe shohim se aty marzha bruto e fitimit është nga 5 deri në 10 për qind, nuk është rritur. Kjo nënkupton se nuk ka rritje të madhe të çmimeve pa justifikim ekonomik. Por, përsëri do të bëjmë një analizë të detajuar nga prodhuesi, çmimi i shitjes, furnizuesi, deri te distributori dhe tregtari në fund. Pra, do të bëjmë një analizë të detajuar, do të shohim ku duhet të ndërhyjmë ose me kë duhet të takohemi, të hapim takime dhe t’u themi nëse rastësisht ka marzhë më të madhe se 10 apo 15 për qind”, tha Durmishi