Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sot ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor, me të cilat parashikohen rregulla më të rrepta për përdorimin e trotineteve elektrike dhe mjeteve të tjera të lehta elektrike. Ndryshimet u mbështetën unanimisht nga deputetët e pranishëm, pasi të 64 deputetët në sallën plenare votuan pro.

“Ju njoftoj se, në bazë të pikës 2 të Amendamentit X të Kushtetutës së Maqedonisë dhe nenit 11, paragrafi 3 të Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ky ligj miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, duke qenë e nevojshme edhe shumica e dyfishtë, përkatësisht shumica e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në shtet”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski.

Pas votimit sipas parimit të Badinterit, ligji u miratua edhe me 17 vota “pro” nga deputetët e bashkësive joshumicë.

Sipas ndryshimeve të reja, trotinetët  elektrikë do të mund t’i drejtojnë vetëm personat mbi 18 vjeç, ndërsa përkufizimi i “mjetit të lehtë elektrik” është precizuar më qartë, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar për qarkullim kufizohet në 20 kilometra në orë, në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane.

Personave nën moshën 18 vjeç u ndalohet plotësisht drejtimi i trotinetëve elektrikë, ndërsa ashpërsohen edhe sanksionet për shkeljet e parashikuara me ligj. Në raste si drejtimi nga të miturit, tejkalimi i shpejtësisë, transportimi i më shumë se një personi apo ngasja nën ndikimin e alkoolit, policia do të ketë të drejtë të konfiskojë mjetin.

The post Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafik, trotinetët elektrikë vetëm për personat mbi 18 vjeç appeared first on Alsat.