Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim për rrezikun e shpërthimeve të sëmundjeve në Venezuelë, pas tërmeteve të dyfishta që goditën vendin një javë më parë.
Sipas organizatës, situata në sistemin shëndetësor është e rënduar dhe ekziston shqetësim për raportim të pamjaftueshëm të numrit të viktimave dhe të zhdukurve.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, bëri të ditur në një konferencë në Gjenevë se shërbimet shëndetësore po funksionojnë nën presion të madh, ndërsa spitalet po përballen me fluks të lartë të të plagosurve.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave nga tërmetet ka arritur në 1,719 persona, ndërsa mbi 5,000 të tjerë janë raportuar të plagosur. Po ashtu, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 50,000 persona rezultojnë ende të zhdukur.
OBSH paralajmëron se dëmtimet në spitale, mungesa e ujit të pastër dhe problemet me kanalizimet mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve infektive, përfshirë fruthin, difterinë, kollën e mirë, si dhe sëmundje të transmetuara nga mushkonjat dhe uji si dengue, malaria dhe Zika.
Autoritetet vendase raportojnë se dhjetëra spitale janë prekur nga tërmetet, ndërsa disa prej tyre janë dëmtuar rëndë ose funksionojnë pjesërisht.
Vlerësimet e para tregojnë mbingarkesë në spitale, mungesë të kapaciteteve kirurgjikale dhe presion të shtuar mbi stafin mjekësor.
