Kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski kërkoi hapjen e kufijve, në mënyrë që bashkëpunimi me vendet rajonale të rritet dhe të forcohet ekonomia. Ai theksoi se ajo që mungon tani, është një platformë për vlera themelore si lufta kundër korrupsionit, gazifikimi i shpejtë, mbështetja për eksportet dhe vazhdimësia e rregulloreve dhe vendimeve ligjore.

“Ne do ta mbrojmë integritetin, do ta mbrojmë gjithçka, por kërkojmë hapjen e kufijve në të gjitha mënyrat e mundshme. Dhe këtu mbështesim Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, e cila po bën përpjekje me biznesin për të hapur portat e bashkëpunimit. Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në gjashtë muajt e fundit, kur ka vepruar bashkërisht në të gjitha vendet – partnerë të rëndësishëm ekonomikë për ne. Mendoj se kjo do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”, u shpreh Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, bëri të ditur se kompanitë duhet të investojnë në inovacion, digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm për të rritur konkurrueshmërinë, duke nënvizuar se ekonomia e fortë ndërtohet përmes partneritetit mes shtetit dhe biznesit.

“Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, e integruar fort në zinxhirët evropianë të vlerave, nuk mund t’i shohim këto ndryshime si procese të largëta, ato tashmë janë pjesë e realitetit tonë të biznesit. Kjo është arsyeja pse qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të krijuar një kornizë të qëndrueshme dhe të parashikueshme për transformimin e gjelbër dhe ekonomik”, deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Këto u thanë në forumin e biznesit me temën “Shndërrimi i Qëndrueshmërisë në Konkurrueshmëri: Ndërtimi i Bizneseve Rezistente në një Botë të Pasigurt” që u mbajt në Shkup, organizuar nga MPJ, Oda Ekonomike dhe Zyra e Koordinatorit Rezident të Kombeve të Bashkuara, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian.