Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të forcojnë bashkëpunimin doganor përmes një protokolli të ri për kontrolle në pikat kufitare të përbashkëta, me qëllim lehtësimin e tregtisë dhe përshpejtimin e procedurave kufitare. Protokolli parashikon kontrolle më efikase, ulje të kohës së pritjes dhe qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe udhëtarëve, duke kontribuar në integrimin rajonal drejt Bashkimit Evropian.
Drejtorët e dy administratave doganore, Boban Nikollovski dhe Besmir Beja, së bashku me përfaqësues të OSBE-së, kanë inspektuar pikën kufitare Qafë Thanë dhe kanë diskutuar zbatimin praktik të marrëveshjes. Nikollovski theksoi se bashkëpunimi me Shqipërinë është forcuar dhe ka krijuar një partneritet të qëndrueshëm, ndërsa Beja vlerësoi se protokolli do të ndihmojë në koordinimin e procedurave dhe shfrytëzimin më të mirë të resurseve. Nga OSBE u vlerësua se ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë dhe menaxhimit të përbashkët kufitar mes dy vendeve.
