Qytetarët kanë mirëpritur ndryshimet ligjore që parashohin rregulla më të rrepta për përdorimin e trotineteve elektrikë, duke vlerësuar se ato janë të nevojshme për rritjen e sigurisë në komunikacion. Shumë prej tyre thonë se ky mjet transporti është bërë burim rreziku, veçanërisht kur përdoret nga të miturit ose në mënyrë të papërgjegjshme, përcjell FaktiDitor.info.
“Jeta e njeriut nuk ka çmim. Shohim fëmijë shumë të vegjël që lëvizin me shpejtësi të madhe, madje dy ose tre persona në një trotinet. Edhe prindërit shpesh i marrin fëmijët me vete, gjë që nuk është aspak e sigurt. Të gjithë duhet t’i respektojnë rregullat”, u shpreh një qytetar.
Një tjetër qytetar theksoi se nevojitet edhe më shumë kujdes në përdorimin e trotineteve.
“Është me të vërtetë e rrezikshme. Shpejtësia duhet të jetë sa më e ulët dhe drejtuesit duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Kufizimi i shpejtësisë është një masë e mirë”, tha ai.
Disa qytetarë shkuan edhe më tej, duke kërkuar ndalimin e plotë të trotineteve elektrikë.
“Sipas mendimit tim, duhet të ndalohen krejtësisht. Por nëse lejohen, shpejtësia nuk duhet të jetë 20 kilometra në orë. Maksimumi duhet të jetë 6 ose 7 kilometra në orë, sepse edhe me 20 kilometra mund të shkaktohen lëndime serioze”, u shpreh një qytetar.
Me ndryshimet e reja ligjore ndalohet përdorimi i trotineteve elektrikë nga personat nën 18 vjeç, ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 20 kilometra në orë. Po ashtu ndalohet transportimi i një personi tjetër në të njëjtin trotinet.
Ligji parashikon edhe konfiskim të përkohshëm të trotineteve, përveç gjobave, për rastet kur drejtuesi është i mitur, tejkalon shpejtësinë e lejuar, transporton një person tjetër ose e drejton trotinetin nën ndikimin e alkoolit.
Sipas rregullave të reja, trotinetet duhet të qarkullojnë në korsitë e biçikletave. Në mungesë të tyre, ato mund të lëvizin në trotuar vetëm me shpejtësi deri në 6 kilometra në orë. Drejtuesi është i detyruar të zbresë nga trotineti gjatë kalimit në vendkalimet për këmbësorë, ndërsa ndalohet ngasja pa duar, lëvizja me një rrotë dhe kapja pas automjeteve në lëvizje.
Gjobat për shumicën e shkeljeve janë rritur nga 50 në 100 euro. Për drejtimin e trotinetit nën ndikimin e alkoolit parashihet gjobë prej 275 eurosh dhe konfiskim i mjetit, ndërsa prindërit e të miturve që shkelin ligjin do të gjobiten me 225 euro dhe trotineti do të konfiskohet për 30 ditë.
Sipas statistikave të prezantuara në Kuvend, nga viti 2024 deri në maj të vitit 2026 janë regjistruar 2.352 aksidente trafiku ku janë përfshirë drejtues të mopedëve, trotineteve elektrikë dhe motoçikletave. Si pasojë, 46 persona kanë humbur jetën, ndërsa 585 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Mbi 70 për qind e të aksidentuarve kanë qenë fëmijë të mitur, përcjell FaktiDitor.info.
