Seanca për zgjedhjen e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë është caktuar të mbahet të hënën, më 13 korrik. Në Kuvend pritet të zgjidhen disa ministra të rinj dhe të bëhen ndryshime mes resorëve ekzistues. Procesin e rikonstuimit të qeverisë partia opozitare LSDM e konsideron si teatër, pa ndryshime reale në strukturën e pushtetit ku,  sipas tyre, vazhdon i njëjti model i qeverisjes së lidhur me interesa biznesi dhe tenderë. Lsdm gjithashtu akuzon kryeministrin Mickoski se në funksionin e “qeverisjes së mirë” është planifikuar Dimitar Dimovski, ku sipas tyre, është partner biznesi i kryeministrit i lidhur me sektorin e energjetikës.

Rekonstruksioni i Qeverisë së Mickoskit është vetëm teatër; në thelb nuk ndryshon asgjë në koalicionin e tenderëve. Emrat e rinj janë vetëm një paketim i ri për të njëjtin qeverisje të korruptuar, e cila vazhdon të prodhojë skandale të reja, tenderë të rinj kriminalë dhe zhgënjime të reja për qytetarët. Pronari mbetet i njëjtë, Hristijan Mickoski. Ekipi kundër korrupsionit vazhdimisht lufton dhe demaskon qeverisjen kriminale. Sot do të tregojmë se çfarë do të thotë për Mickoskin “qeverisje e mirë”. E kuptoni menjëherë: biznes, tenderë, keqpërdorime. Për sektorin e “qeverisjes së mirë”, Mickoski kishte planifikuar Dimitar Dimovskin. E kush është Dimitar Dimovski? Partner biznesi i gjatë  i Mickoskit në hidrocentrale.Fillimisht Mickoski e vendosi pranë vetes në Qeveri si sekretar për politika publike, tani po e avancon”, tha Jon Fërqkovski, LSDM.

Por, Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e konfirmon një lajmë të tillë. Ai theksoi se ende nuk është bërë publik personi që do ta udhëheqë këtë sektor dhe se do të ketë ndarje mes dy sekretariateve të ndryshme në kabinet.

 “Fillimisht, unë askund nuk kam thënë se kush do të jetë ai që do ta menaxhojë pjesën për qeverisje të mirë. Kam thënë se, ashtu siç do të kemi sekretar që bën monitorimin e realizimit të programit të Qeverisë, do të kemi edhe sekretar për qeverisje të mirë. Nuk do të jetë i njëjti person. Dimitar Dimovski, si dhe dhjetëra e qindra njerëz nga Qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së që ishin pjesë e një fushate politike nga qeveria kriminale e LSDM-së dhe BDI-së, të cilët PSP-në e përdorën si mjet politik, i kam komentuar shumë herë në të kaluarën dhe nuk do ta komentoj”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ndërkaq, sa i përket emërimeve të reja të zëvendësministrave Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se nuk do të bëhen menjëherë, por do të shtyhen për në muajin shtator. Ai theksoi se aktualisht Qeveria është e fokusuar në debatin për rikonstruimin dhe ribalancin e buxhetit në Kuvend. Sipas tij, për shkak të pushimit vjetor të deputetëve në gusht, procesi i plotësimeve të posteve do të vazhdojë pas kësaj periudhe.