Paris FC ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Liam Rosenior si trajnerin e ri të ekipit. Anglezi ka nënshkruar një kontratë deri në qershor 2028 dhe do të fillojë rolin e tij më 9 korrik, kur rifillon stërvitja e sezonit të ri.
Në moshën 41 vjeç, Rosenior vjen me një përvojë të pasur në futbollin anglez dhe atë ndërkombëtar. Gjatë kësaj kohe, ai drejtoi ekipe si Derby County, Hull City, Strasbourg dhe së fundi Chelsea.
Aventura e tij te Chelsea nuk ishte e suksesshme, pasi qëndroi në stolin e “blues” vetëm 3 muaj dhe u shkarkua. Rosenior zëvendëson Antoine Kombouaré, i cili largohet pasi riktheu Paris FC në Ligue 1 dhe e mbylli sezonin në vendin e 11-të.
“Liam Rosenior zotëron të gjitha cilësitë që kërkonim: ai është një trajner modern dhe kërkues, i aftë të zhvillojë si lojtarët ashtu edhe ekipin. Ne u impresionuam nga aftësitë e tij menaxheriale dhe lidershipi”, tha drejtori sportiv Marco Neppe.
The post Drejtoi Chelsea vetëm 3 muaj dhe u shkarkua, Rosenior merr drejtimin e rivalëve të PSG appeared first on Telesport.
