Egnatia do të zbresë mbrëmjen e së mërkurës në fushë për ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të UEFA Champions League, ku do të përballet me kampionët e Moldavisë, Petrocub. Takimi do të luhet në “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 21:00.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede vjen pas një paraqitjeje pozitive në transfertë, ku arriti të marrë një barazim të rëndësishëm 1-1 në Moldavi. Edhe pse u gjend në disavantazh që në minutën e parë, Egnatia reagoi me karakter dhe gjeti golin e barazimit me Altin Kryeziun, duke mbajtur të hapur plotësisht garën për kualifikim.

Kampionët e Shqipërisë treguan forcë dhe personalitet edhe pse luajtën të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak, duke ruajtur rezultatin dhe duke u kthyer në Shqipëri me një rezultat që i jep besim për sfidën vendimtare.

Tashmë gjithçka do të vendoset në Rrogozhinë, aty ku Egnatia do të kërkojë mbështetjen e tifozëve për të siguruar një tjetër rezultat pozitiv dhe për të vazhduar rrugëtimin në kompeticionin më prestigjioz europian për klube.

Një kualifikim do të ishte një tjetër sukses i rëndësishëm për kampionët e Shqipërisë dhe një kontribut i vlefshëm për futbollin shqiptar në arenën europiane.

The post Champions League, turi i parë kualifikues: Egnatia synon të thyejë “akullin” në shtëpi ndaj Petrocub appeared first on Telesport.