Thierry Henry, ish-lojtar i Barcelonës dhe legjendë e futbollit francez, analizoi arsyet pse Spanja dominoi Francën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, të fituar 2-0 nga “La Roja”. Në analizën e tij për “Fox Sports”, përkrah Zlatan Ibrahimovic dhe Alexi Lalas, u shpreh: “Franca ishte një zhgënjim dhe Spanja ishte pafundësisht superiore në çdo sektor të fushës”.
Ai vlerësoi lojën kolektive të skuadrës së Luis de la Fuente, duke theksuar se spanjollët dinë saktësisht kur ta përshpejtojnë ritmin me një prekje dhe kur ta qetësojnë lojën duke mbajtur topin:
“E kam përjetuar si lojtar kundër Spanjës dhe si trajner, gjithashtu edhe te Barcelona. Duhet të kuptosh se topi është ai që lëviz. Secili duhet të qëndrojë në pozicionin e tij. Besoji shokëve, lëre topin të qarkullojë… Lëvizje, askush nuk mbetet në të njëjtin pozicion. Tingëllon e thjeshtë, apo jo? 2-0 në një gjysmëfinale Botërori…”
Ai veçoi edhe rolin e Rodrit, duke e cilësuar motorin e vërtetë të skuadrës spanjolle, ndërsa e përshkroi Mikel Oyarzabal si “lojtarin më të nënvlerësuar të Spanjës”.
Sipas Henry, një tjetër vendim kyç ishte zgjedhja e De la Fuente për të lënë Pedrin në stol dhe për t’i dhënë vend Fabián Ruiz, duke i shtuar më shumë forcë fizike dhe ekuilibër mesfushës.
Thierry Henry vlerësoi filozofinë e lojës së Spanjës, duke theksuar se identiteti i saj ndërtohet që në moshë shumë të vogël: “E dinë çfarë duhet të bëjnë që kur janë 9 vjeç. Nuk ka rëndësi kush vjen apo kush largohet, ata e dinë çfarë kërkohet. Kush je? Cila është filozofia jote? Cili është identiteti yt? Kur një lojtar bashkohet me ekipin, edhe nëse është turneu i tij i parë, i dytë apo i tretë, ai e njeh sistemin sepse luan gjithmonë me të njëjtën filozofi. Është shumë e thjeshtë, apo jo?”
Duke analizuar paraqitjen e Francës, Henry tha se skuadra u shfaq “e fikur, pa jetë dhe pa asnjë përgjigje taktike” ndaj lojës së Spanjës. Ai kritikoi edhe vendimin e Didier Deschamps për të mos aktivizuar N’Golo Kanté si titular: “Spanja e qarkulloi topin rreth Francës sikur ajo të mos ishte fare në fushë”.
The post Analiza “virale” e Henry për sekretin e Spanjës: “E dinë çfarë duhet të bëjnë që në moshën 9-vjeçare” appeared first on Telesport.
