Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, në Komunën e Çairit u përurua rruga që nga sot mban emrin e kompozitorit dhe artistit të njohur shqiptar, Avni Mula.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se ky emërtim është një nderim për një nga figurat themeluese të muzikës profesioniste shqiptare, duke vlerësuar kontributin e Mulës në zhvillimin e kulturës dhe artit shqiptar.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe sopranoja me famë botërore, Inva Mula, vajza e Avni Mulës. Mexhiti theksoi se prania e saj i dha një rëndësi të veçantë këtij momenti.