Më 26 korrik 1963, në ora 05:17, Shkupi u godit nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.1 sipas shkallës Rihter. Si pasojë, humbën jetën 1.070 persona, rreth 3.000 u plagosën, ndërsa mbi 200.000 qytetarë mbetën pa strehë pasi mijëra objekte u shkatërruan.
Tragjedia ngjalli një valë të madhe solidariteti ndërkombëtar. Dhjetëra shtete dërguan ndihma për rindërtimin e qytetit, ndërsa edhe Kombet e Bashkuara u angazhuan në mbështetjen e Shkupit.
Pas kësaj katastrofe natyrore, Shkupi u ringrit.
E sot, 63 vjet më pas, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u shpalos një pllakë përkujtimore kushtuar urbanistit polak Adolf Ciborowski, i cili dha kontribut ruajtjen e kësaj zone historike pas tërmetit.
“Pllaka përkujtimore që zbulohet sot është shprehje e mirënjohjes për këtë kontribut ajo nderon një profesionist vizion të së cilit ndikoi në mënyrën se si u konceptua zhvillimi urban i Shkupit pas tërmetit dhe në ruajtjen e elementit që edhe sot përbëjnë identitetin historik të qytetit”, theksoi Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit.
Në ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Shkupit Gjorgjievski si dhe mbesa e Ciborowskit, Julia Ciborowski.
“Sipas fjalëve të babait tim, rreth qytetit të ri të Shkupit është zhvilluar një qytet që vazhdon të rritet në mënyrë dinamike, ndërsa Çarshia e Vjetër po shndërrohet në një hapësirë ku takohen muzika, kultura dhe historia. Dhe, siç thoshte profesori Adolf Ciborovski, historia duhet të shërbejë për të krijuar një të ardhme moderne”, theksoi Julia Ciborowski, mbesa e Adolf Ciborowskit.
63 vjetori i tërmetit shkatërrues u shënua edhe me vendosjen e kurorave me lule para Monumentit të viktimave të tërmetit në varrezat e Butelit.
Në Muzeun e Qytetit të Shkupit u hap ekspozitë me titullin “63 vite – Shkupi ’63”, ndërsa në mbrëmje në Parkun e Qytetit jepet koncerti “Shkupi, gëzimi im”.
