Gazetaret e mediumit zviceran 20 Minuten, Lynn dhe Carolin, të cilat po realizojnë një reportazh disa ditor në Kosovë kushtuar mërgimtarëve që kalojnë pushimet në vendlindje, kanë ndarë përshtypjet e para nga vizita e tyre, duke vlerësuar mikpritjen dhe bujarinë e qytetarëve.

Dy gazetaret e mediumit zviceran 20 Minuten, Lynn dhe Carolin, po vazhdojnë reportazhin e tyre në Kosovë, ku po ndjekin nga afër përditshmërinë e mërgimtarëve që zgjedhin ta kalojnë verën në vendlindje. Udhëtimi i tyre nisi nga Aeroporti i Cyrihut drejt Prishtinës dhe gjatë ditëve në vijim pritet të vizitojnë disa qytete të vendit për të sjellë histori dhe përvoja nga diaspora shqiptare.

Në një nga raportimet e fundit, gazetaret tregojnë se ajo që u ka lënë më shumë mbresa nuk ka qenë vetëm udhëtimi, por mikpritja që kanë hasur kudo. Sipas tyre, në shumë raste qytetarët i kanë ftuar për kafe apo ushqim dhe kanë refuzuar t’i lënë të paguajnë.

“Nuk po na lënë të paguajmë”, shprehen ato me habi, duke e cilësuar këtë si një nga përvojat më të veçanta që kanë jetuar deri tani gjatë qëndrimit në Kosovë.

Gazetaret veçojnë edhe spontanitetin e njerëzve, duke theksuar se shumë takime dhe ftesa kanë ardhur krejt natyrshëm. Sipas tyre, ndryshe nga Zvicra, ku aktivitete të tilla zakonisht planifikohen me ditë apo javë përpara, në Kosovë gjithçka ndodh shumë më spontanisht dhe me një ngrohtësi që i ka surprizuar pozitivisht.

Reportazhi i 20 Minuten synon të pasqyrojë jetën e mërgimtarëve gjatë pushimeve verore në Kosovë, por edhe atmosferën që i pret ata sa herë kthehen në vendlindje. Gjatë udhëtimit, Lynn dhe Carolin do të vizitojnë disa qytete dhe do të takohen me bashkatdhetarë për të sjellë histori nga afër për lexuesit zviceranë.

Mikpritja dhe bujaria që përshkruajnë gazetaret konsiderohen prej kohësh ndër tiparet më të njohura të kulturës shqiptare, ndërsa përshtypjet e tyre po tërheqin vëmendje edhe te publiku zviceran që po ndjek reportazhin e realizuar nga 20 Minuten.