Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se numri i rasteve të reja të raportuara nga epidemia në Gostivar është 109. Ai njoftoi gjithashtu se është vendosur mbikëqyrje e përforcuar për fazën pas akute të epidemisë, me qëllim monitorimin e sëmundjeve infektive që mund të shfaqen.
“Me ditën e sotme në Gostivar kemi 109 kontakte të para të reja. Numri ka lëvizur nga 80 deri në 125 gjatë katër ditëve të fundit, por në këtë moment nuk mund të themi sa prej tyre janë pjesë e gjendjes së zakonshme dhe sa janë të lidhura me epideminë. Për ta përcaktuar këtë duhet të kemi anketa epidemiologjike”, tha Klekovski në një konferencë për media.
Ai theksoi se mesatarisht gjatë 10 viteve të fundit në muajin korrik në Gostivar janë raportuar rreth 25 raste të sëmundjeve infektive dhe se tash duhet të bëhet dallimi mes rasteve të zakonshme dhe atyre që lidhen me epideminë.
Sipas tij, numri i raportimeve zyrtare aktualisht është 869 raste, prej të cilave janë anketuar 602 persona. Klekovski bëri apel që të vazhdojë bashkëpunimi me autoritetet shëndetësore për të ndjekur situatën.
“Meqë faza akute e epidemisë në Gostivar është duke u qetësuar, në konsultim me Komisionin për Sëmundje Infektive vendosëm të vendosim mbikëqyrje të përforcuar për fazën pas akute”, tha ministri.
Ai u bëri thirrje mjekëve amë dhe institucioneve shëndetësore në Gostivar që të fokusohen në sfidat e ardhshme, veçanërisht në monitorimin e hepatitit A dhe E, por edhe sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen pas epidemisë.
“Do të dërgohen udhëzime përkatëse te Qendra për Shëndet Publik, institucionet shëndetësore dhe mjekët amë. Do të jepen edhe udhëzime për komunikimin me qytetarët. Është thelbësore njohja e hershme e rasteve, në mënyrë që institucionet shëndetësore të reagojnë siç duhet. Kapacitetet për testime janë të përgatitura”, deklaroi Klekovski.
Ai shtoi se paralelisht po vazhdojnë analizat për rrjedhën e epidemisë, duke u shqyrtuar të dhënat nga sistemi i raportimit të sëmundjeve infektive dhe të dhënat nga sistemi “Termini Im” për diagnoza të lidhura me enterokolitin dhe sëmundje të ngjashme.
“Po e analizojmë periudhën nga 1 qershori e tutje, duke e krahasuar me mesataren e 12 viteve të fundit. Kjo do të na mundësojë të kalojmë në fazën e dytë – vlerësimin e asaj që ka ndodhur, rrjedhën e ngjarjeve dhe reagimin e sistemit. Do ta bëjmë këtë në mënyrë objektive dhe të paanshme dhe për të gjitha detajet do të komunikojmë me publikun”, tha Klekovski.
