Shtetasi 19-vjeçar i Maqedonisë së Veriut, Andrej Tanaskovski, u arrestua dje në Nikshiq të Malit të Zi, në një aksion të policisë malazeze. Ai dyshohet për veprën penale tentim-vrasje ndaj Marko Ljubisha Kan, i cili, sipas mediave malazeze, është një nga anëtarët e rangut të lartë të organizatës kriminale të njohur si Klani Shkalari. Me kërkesë të Prokurorisë malazeze, Tanaskovski do të mbahet në paraburgim.

Sipas dyshimeve, më 7 gusht 2025, në Budva, ai ka tentuar ta vrasë Marko Ljubisha Kan duke iu afruar nga prapa dhe duke qëlluar disa herë me armë zjarri, të cilën e mbante pa leje në vend publik. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën. Përveç tentim-vrasjes, Tanaskovski dyshohet edhe për veprën penale falsifikim të dokumenteve.