Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” është distancuar publikisht nga rastet e fundit të publikuara në media, në të cilat përfshihen kryetari aktual dhe ish-kryetari i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare.
Përmes një deklarate, nga “Apolonia” thonë se rastet në fjalë janë të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë vlerat e profesionit të stomatologut.
Shoqata i referohet rastit për të cilin Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se janë ngritur kallëzime penale ndaj tre personave. Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se kryetari aktual i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare ka ndërhyrë te kryetari i Komisionit për Provime Profesionale pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në këmbim të një shpërblimi financiar, për t’i mundësuar një studenteje kalimin e paligjshëm të provimit profesional.
Nga “Apolonia” theksojnë se rasti është në procedurë hetimore dhe se prezumimi i pafajësisë vlen deri në një vendim përfundimtar gjyqësor. Megjithatë, sipas tyre, dyshimet e publikuara janë në kundërshtim me etikën profesionale.
Në deklaratë përmendet edhe rasti i ish-kryetarit të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare, i cili njëherësh është edhe kryetar i Senatit të Universitetit të Tetovës. Shoqata rikujton se Forumi për Ndryshime në Arsim ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e tij deri në përfundimin e procedurave institucionale.
Kryesia e “Apolonias” shpreh indinjatë për të dy rastet, duke vlerësuar se personat e përmendur kanë qenë ndër protagonistët e përçarjeve në komunitetin stomatologjik gjatë viteve të fundit.
“Ne, si mjekë stomatologë me përgjegjësi ndaj pacientëve, profesionit dhe publikut, nuk mund të identifikohemi me akte të tilla. Këto raste nuk përfaqësojnë mijëra kolegë që e ushtrojnë profesionin me ndershmëri dhe përkushtim”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë “Apolonia” kërkon shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit aktual të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare dhe rikonstituimin e organeve drejtuese, në përputhje me statutin dhe rregulloret në fuqi.
