Gjashtë persona janë ndaluar, ndërsa një tjetër është ftuar në bisedë zyrtare pas të shtënave me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobërdoll të Gostivarit, video e të cilave u publikua në rrjetet sociale.
Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë njoftojnë se gjatë ditës së sotme janë realizuar bastisje në disa lokacione në fshatin Dobërdoll, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe gëzhoja.
Sipas policisë, fillimisht janë kryer bastisje në shtëpitë e I.S. (21), A.I. (30) dhe I.B. (25), të gjithë nga Dobërdolli. Gjatë kontrollit te A.I. është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz.
Në një bastisje tjetër në shtëpinë e B.A., policia ka gjetur 30 fishekë për pistoletë me gaz, ndërsa në oborr janë sekuestruar 27 gëzhoja të shkrepura nga pistoletë me gaz dhe një fishek për armë gjahu. B.A. (46) dhe djali i tij M.A. (21) janë privuar nga liria.
Më pas është bastisur edhe shtëpia e T.M. (26), ku janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. Pas bastisjes, T.M. është privuar nga liria, ndërsa S.M. është ftuar në bisedë zyrtare.
Të gjithë personat e ndaluar janë dërguar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse.


