Maqedonia shënoi 2 Gushtin – Ditën e Republikës, në nderim të dy ngjarjeve historike që hodhën themelet e shtetësisë së Maqedonisë – Kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903 dhe Seancës së Parë të të Këshillit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë në vitin 1944. Nën moton “ILINDEN – mosnënshtrim, liri, e ardhme!”, me aktivitete në Krushevë, Pelincë dhe Shkup, u shënua 123 vjetori nga Kryengritja e Ilindenit dhe Republika e Krushevës, si dhe 82 vjet nga Seanca e Parë e KAÇKM-së.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në fjalimin e saj para monumentit të Metodija Andonov Çentos në Shkup, tha se askush nuk ka të drejtë ta rishikojë historinë kombëtare. Ajo theksoi se shteti forcohet përmes pajtimit kombëtar dhe bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve dhe për një zë të përbashkët për çështjet me interes kombëtar.
“Dhe shteti forcohet përmes pajtimit kombëtar. Çentos i janë bërë vërejtje për shkak të gatishmërisë së tij për t’u pajtuar me kundërshtarët e dikurshëm, me kusht që të qëndronin në të njëjtën linjë, në linjën maqedonase. Nëse duam që shteti ynë të jetë një vend i denjë për të jetuar, duhet t’i tejkalojmë ndarjet dhe të mësojmë të flasim me një zë për çështjet me interes kombëtar. Kjo sot na nevojitet më shumë se kurrë më parë”, theksoi presidentja Siljanovska.
Zëvendëskryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i cili udhëhoqi delegacionin e Kuvendit në shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës në Krushevë, tha në fjalimin e tij në Meçkin Kamen se kryengritja e sotme nuk është pushka, por përgjegjësia për krijimin e familjes dhe edukimin e fëmijëve. Ai theksoi se demografia është beteja e re për Maqedoninë.
“Ilindeni na mëson edhe diçka tjetër, diçka që na nevojitet më shumë se kurrë. Se ka momente kur ajo që na bashkon duhet të jetë më e madhe se ajo që na ndan. Mund të kemi qëndrime të ndryshme politike dhe pikëpamje të ndryshme për rrugën në të cilën duhet të ecim. Kjo nuk është dobësi – kjo është demokraci. Por ka gjëra që duhet të qëndrojnë mbi ndarjet tona. Maqedonia është e para ndër to”, u shpreh Milloshoski.
Ceremonia qendrore tradicionalisht u mbajt në Krushevë, ku shumë delegacione shtetërore vendosën lule te varri i Nikolla Karevit dhe te monumenti i heronjve të “Sllivës”. Me një përkujtimore në kishën “Shën Nikolla” dhe ceremoninë në Meçkin Kamen u shënua përvjetori i Republikës së Krushevës.
Përvjetori i Seancës së Parë të Këshillit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë u shënua në Qendrën Memoriale në Pelincë, ku fjalim mbajti kryeministri Hristijan Mickoski. Në frymën e idealeve të Ilindenit për qëndrueshmëri, luftë për liri dhe mosnënshtrim, urime për unitet, shtetësi dhe respekt kanë përcjellë i gjithë kreu politik dhe shtetëror i vendit.
