Gjykata caktoi masën e paraburgimit për 41 vjeçaren nga Kratova, e cila dyshohet se u merrte vizitorëve pagesë të paligjshme për hyrje në lokalitetin e mbrojtur natyror “Kukullat e Gurta”. Ajo dyshohet për veprat penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës dhe uzurpimit të këtij monumenti natyror. Vendimi është marrë me propozim të Prokurorisë së Kumanovës, e cila njoftoi se e dyshuara për një periudhë të gjatë kohore kishte uzurpuar në mënyrë të paligjshme lokalitetin e shpallur monument i natyrës. Sipas Prokurorisë, ajo u merrte vizitorëve pagesë për hyrje pa bazë ligjore, debatonte me ta dhe u drejtonte kërcënime, duke prishur vazhdimisht rendin dhe qetësinë publike. Sipas autoriteteve, gjatë ndërhyrjes së fundit policore, 41-vjeçarja sulmoi fizikisht dhe pengoi efektivët e policisë të cilët po përpiqeshin ta identifikonin dhe ta arrestonin. Prokuroria bëri të ditur se ndaj saj tashmë zhvillohet edhe një procedurë tjetër për uzurpimin e vazhdueshëm të lokalitetit “Kukullat e Gurta”. Edhe pse më herët i ishin shqiptuar masë sigurie, përfshirë ndalimin për të vizituar vendin, ajo nuk i kishte respektuar vendimet e autoriteteve./Alsat.mk.
The post Gjykata caktoi masën e paraburgimit për 41 vjeçaren nga Kratova appeared first on Alsat.
