Zjarri që përfshiu fushat në fshatin Tearcë ka djegur sipërfaqe të mëdha me ara dhe kultura bujqësore. Sipas zjarrfikësve dhe komunës, shkak kryesor dyshohet të jetë faktori njeri. Njësiti territorial kundër zjarreve ka intervenuar për rreth 5 deri në 6 orë me të gjitha kapacitetet.
“Afërsisht 5 apo 6 orë kemi intervenuar në këtë terren këtu me gjitha kapacitetet që ka stacioni i Tearcës dhe i Tetovës, pra u përfshimë gjithë këtu. Po ashtu kemi pasur intervenime të tjera të shumta dje në Tetovë në sipërfaqe të hapura, gjithsej rreth dhjetë zjarre ka pasur dje në Tetovë. Ka pasur për një muaj rreth 30 intervenime që i ka bë vetëm nënstacioni i Tearcës, ndërsa stacioni i Tetovës dhe i Bogovinës kanë rritje enorme të zjarreve dhe dihet që faktori njeri është kryesori, apo hedhja edhe e qelqit vend e pa vend që shkaktojnë zjarre me këto përmasa”, tha Avni Ameti – kryeshef i NJTKZ.
Kryetari i Tearcës, Daut Memishi, tha se fakti që zjarri është përhapur në disa pika ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme dhe paralajmëroi përgjegjësi ligjore për autorët.
“Ditën e djeshme unë përmes rrjeteve sociale edhe bëra thirrje për fushat në Tearcë sepse përmasat ishin të mëdha të zjarrit të përhapur. Nuk kemi konstatuar ende, por vërejtjet e para edhe të zjarrfikësve pasi zjarri ishte përhapur në katër pika të ndryshme, nënkupton se ka qenë zjarrvënie me qëllim. Apeloj miqësisht qytetarëve që të kenë kujdes sepse kjo javë do jetë më e nxehta e vitit, dhe meqë ka zjarre edhe në vende tjera, mundojnë ekipet për intervenim nga ajri sepse dje kërkuam ndërhyrje edhe nga ajri, por falë zjarrfikësve edhe të Tetovës u arrit shpejtë të lokalizohet, por falënderoj edhe banorët që ndihmuan për katër deri pesë orë pra arritën ta lokalizojmë. Sot i kemi në terren ekipet që të vërtetohet sa atar është djegur, por parandaluam se mos kaploj edhe komunën e Jegunocit”, deklaroi Daut Memishi – kryetar i Komunës së Tearcës.
Memishi shtoi se vetëm gjatë një muaji ka pasur rreth 30 ndërhyrje në këtë zonë, andaj u bëri apel qytetarëve të kenë kujdes, veçanërisht gjatë javës me temperatura të larta, pasi siç tha, zjarret po rrezikojnë edhe buxhetin komunal dhe ekipet e emergjencës.
