Uji në Gostivar vazhdon të mbetet i kontaminuar, thonë analizat e fundit të publikuara në Shtabin kryesor të Krizave.
Në seancën e mbajtur pasditen e së martës, nga ky organ konstatuan se është i ndaluar uji për pije dhe për gatim që del nga sistemi i ujësjellësit të qytetit, por që i njëjti mund të përdoret për nevoja teknike.
Deri në një njoftim të dytë mbeten këto masa restriktive në fuqi.
E ndërkohë furnizimi me ujë të pijshëm po bëhet përmes bidonave, tha Ministri Pançe Toshkovski.
“Po, duhet të derdhet uji maksimalisht në periudhën e ardhshme, sa më tepër të jetë e mundur, lusim qytetarët ti lënë çezmat hapur edhe ato që i kanë në pronësi private për shkak se uji është i hiper-klorizuar gjatë gjithë kohës. Në kuadër të pikës fillestare ajo arrin në nivelin më të lartë të lejuar ligjor të mbi-kloruar, që është i pranuar për këto kushte të gjendjes së krize që kemi. Ka klor deri te konsumi i të gjitha pikave që janë marrë njësitë matëse për kontroll, ka prezencë të klorit dhe kjo është mirë”, tha Pançe Toshkovski – ministër i Brendshëm.
Ndërkohë, analizat e fundit konfirmojnë se bakteri Pseudomonas aeruginosa vazhdon të jetë e pranishme në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit.
Sipas autoriteteve, ky bakter mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, syve, veshëve, traktit urinar dhe mushkërive, veçanërisht te personat më të ndjeshëm. Institucionet apelojnë që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet derisa të konfirmohet se uji është plotësisht i sigurt për konsum.
“Në një numër të caktuar të ekzemplarëve është konstatuar bakteri Pseudomonas, i cili është prezent zakonisht nëpër gypat përçues të ujit dhe më së shpeshti zhvillohet në ujin që rri në vend. Duke pasur parasysh që paraprakisht, kishte ndalesë për përdorim të ujit për pije dhe përdorim teknik është pritur që bakteri i njëjtë të paraqitet në ujësjellës nga mostrat që kemi marr. Prandaj veprohet sipas protokolleve, duke rritur prezencën e klorit dhe disa herë pastrimin e rrjetit të ujësjellësit dhe të gjithë këtë proces ne e përcjellim në kushte laboratorike”, u shpreh Emilija Anevska – përfeaqësuese e N.P “Ujësjellës-Kanalizime” – Shkup.
Situata epidemiologjike në Gostivar vazhdon të monitorohet nga institucionet shëndetësore, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se numri i kontrolleve ka shënuar rënie. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të hënën më 3 gusht janë regjistruar 78 kontrolle, ose 6 më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 84 raste për kontroll.
