Katari ka njoftuar të martën se ndërmjetësit po bëjnë përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke bërë që çmimet e naftës të bien, megjithëse Teherani zyrtar e ka mohuar pretendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se bisedimet tashmë kanë nisur. 

Nafta referuese Brent ka rënë me më shumë se 4% pas njoftimit të Katarit.

Megjithatë, për momentin Ngushtica e Hormuzit mbetet pothuajse e mbyllur, ndërsa raportohet se një tjetër anije është sulmuar teksa po përpiqej ta kalonte atë.

Trumpi ka thënë të hënën se bisedimet me Teheranin kishin nisur dhe se Irani përballej me një “mundësi të fundit” për të arritur një marrëveshje. Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur se nuk po zhvillohen negociata me Shtetet e Bashkuara. Irani thotë se bisedimet e vetme janë me Omanin për çështjen e ngushticës, dhe se këtë javë nuk janë planifikuar takime të rëndësishme.

Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë janë shprehur optimistë të martën. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë thënë se është bërë përparim në diskutimet që synojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar përmes të cilit zakonisht kalon rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

“Është bërë përparim në këto bisedime, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Shpresojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, u ka thënë Rubio gazetarëve në Departamentin e Shtetit.

Ndërkaq Bessent ka thënë se një marrëveshje me Iranin për rihapjen e Hormuzit mund të arrihet të martën ose të mërkurën.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka deklaruar se kontaktet diplomatike kanë arritur në “faza shumë të avancuara”.

Ai ka thënë se ndërmjetësit, përfshirë Katarin, Pakistanin dhe Omanin, po bashkërendojnë ngushtë për të lehtësuar negociatat dhe për të shkëmbyer projekt-propozime mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Shumë gjëra po ndodhin në prapaskenë… Ne po flasim me të dyja palët. Qëllimi ynë i vetëm në këtë moment është që të paktën t’i bëjmë të bien dakord të nisin bisedimet”, ka deklaruar al-Ansari. 
Irani ka ndalur pjesën më të madhe të trafikut në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni vazhdon bllokadën ndaj anijeve dhe porteve të lidhura me Iranin.

Ndërkohë, rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë vendosur gjithashtu një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite në Detin e Kuq, duke kufizuar edhe më tej rrugët e eksportit të naftës.

Sipas agjencisë britanike për sigurinë detare UKMTO, një anije mallrash ka raportuar se është goditur nga një predhë e paidentifikuar pranë Ngushticës së Hormuzit, në brigjet e Omanit. Ekuipazhi është detyruar ta braktiste anijen dhe një marinar rezulton i zhdukur.

Irani prej kohësh kërkon kontroll mbi ngushticën, duke argumentuar se ajo duhet të administrohet së bashku me Omanin, i cili kontrollon bregun përballë. Teherani ka hedhur poshtë javën e kaluar një propozim të Omanit që do të lejonte mbikëqyrje të përbashkët të ngushticës dhe mbledhjen e tarifave vullnetare nga anijet.

Një burim i lartë iranian ka thënë se Irani synon të ketë kontroll të plotë mbi anijet që hyjnë në ngushticë dhe mbikëqyrje të trafikut dalës, me mundësinë për të ndërhyrë nëse është e nevojshme.

Dhënia e një kontrolli të tillë Iranit do të përbënte një ndryshim të madh në ekuilibrin rajonal të fuqisë dhe do ta bënte më të vështirë për Uashingtonin të argumentonte se operacioni fillestar “Epic Fury”, të cilin Trumpi e ka nisur së bashku me Izraelin në shkurt, kishte dobësuar kundërshtarin e kahershëm të SHBA-së.

Ndërkohë, po shtohen edhe pikëpyetjet mbi qëndrueshmërinë e fushatës ushtarake amerikane. Sipas tre personave të njohur me të dhënat, ushtria amerikane ka shpenzuar një pjesë të madhe të rezervave të saj të raketave me rreze të gjatë dhe precizion të lartë gjatë luftës, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë e saj ushtarake për konflikte të ardhshme./koha.net