Një ngjarje tragjike ka tronditur të dielën Prishtinën, ku një person u ther për vdekje nga vëllai i tij.

Lidhur me këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se i dyshuari është me të meta psikike.

“Vëllai e ka therë me thikë vëllain. I dyshuari është me të meta psikike”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe se aktualisht rasti ndodhet në fazën e hetimit.

Rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 20:30 në rrugën “Tirana” në kryeqytet.

Policia bëri të ditur se deri tek rasti tragjik ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje mes dy personave.

“Ekipi shëndetësor ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete”, tha Hoxha.

Ndërkaq personi që theri për vdekje vëllain, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi që i njëjti ka pësuar gjithashtu lëndime.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Daut Hoxha gjatë ditës së djeshme konfirmoi se rasti ka ndodhur në orën 20:30.

“Policia në Prishtinë, ka pranuar informatën lidhur me një mosmarrëveshje në Rrugën Tirana në Prishtinë. Sipas informacioneve fillestare qe kemi behet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy personave, ku dyshohet se njeri ka goditur personin tjetër me një mjet të mprehtë. Ekipi shëndetësore ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete. Policia është duke u marrë me rastin dhe hetime janë duke u zhvilluar nga njësitet kompetente për të sqaruar motivin apo rrethanat tjera që kanë quar deri te ky rast i rëndë”, ka thënë Hoxha.