Opozitarja BDI-ja ka reaguar lidhur me mungesën e publikimit të 83 procesverbaleve të seancave të Qeverisë në gjuhën shqipe, duke kërkuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe publikimin e menjëhershëm të dokumenteve. Nga partia akuzojnë se partia shqiptare në pushtet e ka dobësuar mekanizmin për mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke e bërë atë, sipas tyre, praktikisht të pafuqishëm.

“BDI dënon këtë shpërfillje të detyrimeve ligjore ndaj përdorimit të gjuhës shqipe dhe kërkon përgjegjësi institucionale. Kërkojmë nga Qeveria të bëjë publike arsyet për mosbotimin e këtyre procesverbaleve, të sqarojë se kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe të publikojë menjëherë të gjithë dokumentacionin që mungon në gjuhën shqipe. s’Vleni-i gjithashtu duhet t’u përgjigjet shqiptarëve se si ka lejuar që për 11 muaj dhe 83 seanca të Qeverisë kjo situatë të vazhdojë pa u korrigjuar”, thonë nga BDI.

Ndaj këtyre akuzave u kundërpërgjigj zëvendëssekretari gjeneral i qeverisë, Hasim Murtezani.

“Pasi BDI manipulon gjatë gjithë kohës me gjuhën shqipe, po i prezantojmë vetëm disa argumente sesa BDI-ja e zbatonte gjuhën shqipe kur ata ishin në Qeveri! Faktet po ju a sjellim në vite të ndryshme gjatë qeverisjes së tyre”, thekson Hasim Murtezani.

Megjithatë, Murtezani nuk demanton BDI-në për akuzat se procesverbalet këto 11 muaj nuk po publikohen në shqip, por publikoi në Facebook dokument nga qeverisja e kaluar, ku dokumentet janë vetëm në maqedonisht, ndërsa mbajnë nënshkrimet e zyrtarëve si Artan Grubi, Muhamed Zekiri dhe Dragi Rashkovski.

Edhe partia VLEN, në reagimin e saj, në të njëjtën linjë. Thotë se dokumentet nga periudha e qeverisjes së BDI-së tregojnë se edhe atëherë vendime zyrtare janë nënshkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Nga VLEN-i akuzojnë BDI-në se po tenton të zhvendosë vëmendjen e opinionit dhe kërkojnë që Prokuroria të japë përgjigje se deri ku ka arritur rasti që lidhet me Artan Grubin dhe për të cilin ai është futur në listën e zezë amerikane.