Të paktën 20 persona kanë humbur jetën pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi ishullin Flores në Indonezi në orët e para të së shtunës. Autoritetet kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa mijëra banorë janë larguar nga zonat e rrezikuara.
Tërmeti goditi ishullin Flores pak para orës 05:00 me kohën lokale, në një thellësi prej rreth 15 kilometrash. Sipas autoriteteve indoneziane, lëkundja kryesore u pasua nga dhjetëra tërmete të tjera, përfshirë një me magnitudë 6.1.
Guvernatori i provincës Nusa Tenggara Lindore, Emanuel Melkiades Laka Lena, tha se të paktën pesë persona humbën jetën pasi u zunë poshtë rrënojave të ndërtesave teksa ishin në gjumë.
Ekipet e emergjencave po punojnë për të nxjerrë personat që mund të kenë mbetur të bllokuar në ndërtesat e dëmtuara. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe dëmeve mund të ndryshojë, pasi vlerësimi në zonat e prekura është ende në zhvillim.
Pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, duke shkaktuar panik te banorët e zonave bregdetare. Paralajmërimi u hoq rreth tre orë pas lëkundjes së parë.
Në disa zona, banorët u larguan me nxitim drejt vendeve më të larta. Rreth 2,000 persona në Nagekeo u evakuuan, ndërsa janë raportuar dëmtime në një numër ndërtesash.
Agjencia kombëtare indoneziane për menaxhimin e fatkeqësive, BNPB, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin zonat bregdetare. Autoritetet gjithashtu paralajmëruan qytetarët të mos hyjnë në ndërtesa që kanë pësuar çarje ose dëmtime strukturore.
